Presidenti kinez: Koreja Veriore është në rrugën e duhur

Presidenti kinez: Koreja Veriore është në rrugën e duhur

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do ta vizitojë të enjten Korenë Veriore. Kjo vizitë pritet të sjellë rezultate serioze lidhur me çarmatosjen dhe bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe regjimit të Kim Jong-unit.

Xi Jinping do të jetë presidenti i parë kinez që do ta vizitojë Korenë Veriore në katërmbëdhjetë vjetët e fundit, në kohën kur ai vetë është bërë pjesë e luftës tregtare me Uashingtonin dhe në kohën kur marrëdhëniet mes Kinës, Rusisë e Koresë Veriore janë përmirësuar.

Përmes një shkrimi të botuar në faqen e parë të gazetës shtetërore të Koresë Veriore, presidenti kinez e vlerësoi lart punën e Kim Jong-unit, duke thënë se ai po e udhëheq vendin drejt rrugës së duhur, pavarësisht dështimit në bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

Që nga dështimi i negociatave me presidentin amerikan në shkurt të këtij viti në Vietnam, Koreja Veriore ka kërcënuar se do ta nisë një rrugë të re për ta zhvilluar ekonominë, ndërkohë e ka vazhduar testimin e disa armëve.

Përderisa thotë se i respekton sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë Veriore, Kina mbetet tregu kryesor për shitjen e prodhimeve të këtij vendi. Përkrahja e Pekinit vlerësohet si jetike për aftësinë e Kim Jong-unit për të zhvilluar negociata nga pozita e të fortit, shkruan “Independent”.

Shpërndaje në: