Presidenti kroat: Mosnjohja e Kosovës nga Serbia, pengesë për zgjerimin e BE-së

Presidenti kroat: Mosnjohja e Kosovës nga Serbia, pengesë për zgjerimin e BE-së

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, tha sot në Forumin e Prespës se vendet “me standardet më të larta” në BE duhet të ulin standardet për vendet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Ai tha se pa njohjen e Kosovës nga Serbia nuk mund të ketë zgjerim të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas mediave kroate, Milanoviq theksoi se “institucionet evropiane nuk janë pengesë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por disa vende, ndër to edhe Gjermania”.

“Bashkimi Evropian mund t’i pranonte të gjitha ato vende të Ballkanit Perëndimor nëse disa vende të Bashkimit Evropian do ta donin një gjë të tillë. Janë vetëm disa vende që kanë gjithmonë disa kritere të tyre shumë të larta, të cilat unë i vlerësoj. Megjithatë, kjo është vërtet një situatë serioze në të cilën vendet shtetet shohin asnjë perspektivë”, u tha Milanoviq gazetarëve, derisa po merr pjesë në Forumin e Prespës.

Ai beson se kundërshtimi zgjerimit nuk ekziston për arsye ekonomike, por për arsye sigurie dhe se mosnjohja e Kosovës nga Serbia është një nga pengesat e zgjerimit.

“Nuk mund ta imagjinoj për arsye të ndryshme politike, sociale dhe historike, që Serbia ta njohë Kosovën. Derisa të mos bëhet kjo, çështja nuk do të zgjidhet”, tha Milanoviq.

“Kjo është diçka në të cilën duhet të përqendrohemi dhe t’i dërgojmë një mesazh Serbisë që të zgjedhë cilën anë e do”, shtoi Milanoviq, i cili beson se Serbia ka marrë vendimin “të shkojë në rrugën e saj” dhe jo drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Forumi i Prespës “Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”, i zhvillon punimet prej sot deri më 18 qershor.

Aty po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Serbisë  dhe Malit të Zi, presidentët e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, ministrat e jashtëm të Turqisë, Greqisë dhe Austrisë. /telegrafi/

Shpërndaje në: