Presidenti slloven nesër në Kosovë: Të respektohen marrëveshjet me Serbinë

Presidenti slloven nesër në Kosovë: Të respektohen marrëveshjet me Serbinë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, nesër pritet ta vizitoj Kosovën dhe të takohet me homologen kosovare Vjosa Osmani. Një ditë para se të vijë, në një intervistë të bërë nga Telegrafi, ai ka folur rreth qëllimit të kësaj vizite, Non-Papers dhe qëndrimin e shtetit të tij për marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të këshillohet me presidenten e Kosovës, para Samitit të udhëheqësve në Brdo, që do të mbahet më datën 17 të këtij muaji.

“Me presidenten e Kosovës dëshiroj të këshillohem para Samitit të udhëheqësve në Brdo – Brijuni Process, në Brdo, më 17. 5. 2021. Më gëzon fakti se presidentja Osmani veç e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj. Ky do të jetë një takim i rëndësishëm, njëri nga më të rëndësishmit në historinë njëmbëdhjetëvjeçare të nismës Brdo – Brijuni”, tha Pahor për Telegraf.

I pyetur nëse ai qëndron prapa “Non-paper-it”, e clia është publikuar në disa media në rajon, ai ka thënë se “idetë mbi ndryshimin e kufijve për të janë plotësisht të papranueshme”.

“Nuk e kam të njohur Non-Paper-in. Le ta përsëris atë që e kam thënë qartë shumë herë: idetë mbi ndryshimin e kufijve për mua janë plotësisht të papranueshme. Ta them qartë se nuk i mbështesë mendimet mbi ndryshimin e kufijve në rajon, pasi kjo gjë në këtë rajon askurrë nuk ka përfunduar në mënyrë paqësore”, ka thënë presidenti slloven.

Ai gjithashtu ka thënë se Sllovenia është kundër korrigjimit të kufijve në Ballkan dhe shteti i tij mbështet marrëveshjen për të cilën pajtohen Kosova e Serbia.

“Para së gjithash është me rëndësi që dialogu të vazhdojë dhe të intensifikohet në frymën konstruktive. Duhet respektuar ato që janë marrë vesh. Dialogu zhvillohet nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian. Me kujdes e përcjellin edhe të tjerët, p.sh. SHBA. Të gjitha këto janë të rëndësishme, pasi duket, se të dy palët kanë mbështetje ndërkombëtare për të. Ne në Slloveni do të respektojmë atë që do të merreni vesh me Beogradin”, tha presidenti slloven.

Shpërndaje në: