Presidenti Thaçi: Të drejtat e personave me aftësi të veçanta, obligim kushtetues
Në prag të ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, presidenti Thaçi ka thënë se është obligim i të gjithëve që të respektojnë Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi, të cilat ndalojnë diskriminimin e këtyre grupeve në arsimim, shëndetësi, në punësim dhe shërbime tjera.
“Të drejtat e personave me aftësi të veçanta nuk duhet të mbesin vetëm të parashkruara në ligjet tona, por edhe të zbatohen me përpikëri. Është obligim i të gjithëve”, ka thënë Thaçi.
Nga ana tjetër, Agim Vatovci, kryetari i Shoqatës së Personave me Nevoja të Veçanta në Kosovë, ka thënë se duhet një angazhim më i madh për një përfshirje më të madhe të kësaj kategorie në tregun e punës.
Ai ka shtuar se ligjet në fuqi nuk janë duke u zbatuar nga shumë institucione publike, ku punësimi i personave me aftësi të veçanta është i garantuar.
Me këtë rast, presidenti Thaçi u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, kompanive publike, por edhe atyre private që të punësojnë më shumë persona me aftësi të veçanta, ngase numri i të punësuarve mbetet ende i ulët.



