Presidenti Trump ndan mirënjohje për gazetaren kosovare
Gazetarja kosovare, Ramize Murtezi-Shala, është shpërblyer me mirënjohje nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Kjo mirënjohje gazetares kosovare iu nda për kontributin në sferën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe për vetëdijësimin e qytetarëve dhe institucioneve për probleme të shumta sociale, njofton Klan Kosova.
Mirënjohjen për të, në emër të SHBA-ve, e ndau anëtari i Akademisë Ndërkombëtare, prof. dr Otto Fleingenblatt, në një ceremoni madhështore të mbajtur në UBT dhe në praninë e dhjetëra akademikëve e përfaqësueseve të institucioneve shtetërore.
Me këtë rast profesor Fleingenblatt, e vlerësoi kontributin e secilit personalitet që në forma të ndryshme ka ndihmuar në ngritjen e njohurive dhe të vetëdijes së qytetarëve për çështje jo shumë të trajtuara.
Kjo është hera e dytë që ndahen tituj nderi nga universitete të njohura ndërkombëtare dhe nga Akademia Ndërkombëtare e Shkencave, ndërkaq hera e parë që UBT është nikoqire e një ngjarjeje të tillë kaq të rëndësishme.



