Presioni i familjeve e grupeve kriminale detyron fëmijët të kërkojnë lëmoshë

Presioni i familjeve e grupeve kriminale detyron fëmijët të kërkojnë lëmoshë

Bankave shkollore ua kanë harruar pamjet, mirëpo dorën e zgjatur për të kërkuar lëmoshë e mbajnë në mend mirë ngado që shkojnë.

Thuajse ç’do rrugë e kafiteri e kryeqytetit është e vërshuar me lypsarë. Ajo që është më e dhimbshme, në mesin e tyre nuk mungojnë as fëmijët, shkruan Indeksonline.

Hiq më larg se ditën e mërkurë, Policia identifikoi 53 lëmoshkërkues në Kosovë. Prej tyre, tridhjetë e dy fëmijë.

Deklaratat se veprime të tilla cilësohen si shkelje të drejtave na ka rënë t’i dëgjojmë me mijëra herë. Njësoj shprehet edhe sociologu Ferdi Kamberi.

‘’ Fëmijët të cilët kërkojnë lëmoshë në të shumtën e rasteve janë të detyruar që të bëjnë një gjë të tillë dhe kjo përveç asaj që paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, ajo ka pasoja të rënda për ta. Ata kanë nevojë për një edukim, shkollim, për sigurim të kushteve elementare për një jetë e jo për tu bërë pre e grupeve kriminale të cilat i shfrytëzojnë ata’’, është shprehur Kamberi.

Në këtë mes sociologu nuk e përjashton mundësinë  se presioni nga prindërit ose grupet kriminale përbën tjetër shkelje.

‘’Ne jemi të vetëdijshëm që Kosova ballafaqohet me problemin e papunësisë dhe të varfërisë, megjithatë presioni që ju bëhet nga prindërit ose nga grupet kriminale përbënë shkelje ligjore dhe një gjë e tillë sanksionohet me kodin penal, sidomos neni 250’’, ka deklaruar sociologu.

Sikur të ishte vetëm kaq. Barra që u rënkon mbi supe fëmijëve nuk është aspak e lehtë.

‘’ Në aspektin psikologjik dhe social, disa nga pasojat e një presioni të tillë mund të jenë: thyerje emocionale e fëmijëve pasi që një gjë të tillë nuk e bëjnë bashkëmoshatarët e tyre, vuajtje, presion të vazhdueshëm, probleme shëndetësore si pasojë e ftohjes, pastaj, mungesë të komunikimit, mungesë të edukimit, mungesë të socializimit me fëmijët tjerë, prirje drejt akteve kriminale, mundësi e madhe drejt sjelljeve devijante dhe delikuencës, si dhe pasoja të tjera’’, ka sqaruar më tej sociologu Kamberi.

Ai ka rekomanduar organeve kompetente, të krijojnë politika për identifikimin e tyre dhe socializimin në shoqëri.

Shpërndaje në: