Princi arab që u dashurua në yllin e kombëtares së Irlandës: Vakia që i ndryshoi jetën

Periskopi.com Lajme

Hotel Grandi në Kanë, më 1976. Një natë vere e nxehtë, një burrë i kamur dhe një i skamur po rrinin në ashensor.

Burri i kamur ishte Princi Abdullah bin Naser [Abdullah bin Nasser]: nipi i themeluesit të Arabisë Saudite; djali i ish guvernatorit të Rijadit [Riyadh]; i pasur matanë imagjinatës.

Burri skamnor ishte Imën O’Kifë [Eamonn O’Keefe] futbollist nga Mançesteri [Manchester]; djali i një punëtori të shtypit.

Burrat po ktheheshin nga një kazino. Abdullahu kishte humbur – ai gjithnjë humbte – por s’ka lidhje. Nëse je princ saudit, disa mijëra dollarë bëjnë sa një drekë e jo më shumë.

Imëni nuk ishte kumarxhi, por kishte fituar. Dy vjet më herët ai po luante për rezervistët e Pllajmuth Argjilë [Plymouth Argyle] në kategorinë e tretë të futbollit anglez, dhe donte të bënte para për sahatin e tij të rrymës.

Tash, po fluturonte me një avion privat; me avion të klasit të parë, në hotele me pesë yje, në një tur nëpër Evropë me një prej familjeve më të pasura të dynjasë.

Dhe më pas, në ashensor, Abdullahu i kthehet Imënit.

“E kam pasur ndërmend të të them diçka,” i tha Abdullahu. I vuri dorën në krahun e Imënit. “Më duket se të dua.”

Imëni mund të nuhaste frymëmarrjet e princit; cigare dhe uiski Johnnie Walker. Me nervozë, i përgjigjet. “Doni të thoni – si vëlla?”

“Jo,” thotë Abdullahu. “Jo si vëlla.”

Dhe kjo, në atë natë vere në Kanë [Cannes], ishte pika ku një telashe e madhe u hap, përkthen nga BBC, Periskopi.

Imëni që tash i ka 65 vjet, u rrit në Britaninë e pas luftës së II botërore, në një shtëpi të vogël në Bleklli [Blackley] në Mançester të Veriut. Ai i kishte tre vëllezër, dy motra dhe një qen që quhej Gren. Edhe ai jetonte me ta. Por, ku flinin gjithë këta njerëz?

“Ende më vjen çudi,” thotë ai në një hotel të Mançesterit, duke buzëqeshur nga kujtimet.

Babai i tij, një irlandez, e drejtonte ekipin e burrave në futboll të kishës katolike të Shën Klerit. Nëna e tij lante dhe hekuroste tesha.

Shtëpia e Imënit ishte afër parkut ku ai dilte dhe luante, në barin e lagësht të Mançesterit, derisa binte terri. Ai ishte futbollist i mirë; ishte zgjedhur nga Shkolla e Mançesterit dhe nga ekipi i të rinjve të Mançester Junajtidit [Manchester United] derisa, në një ndeshje kundër Altrinçemit [Altrincham], e theu këmbën [fiks pesëmbëdhjetë minuta pasi do të shkrepej kjo fotografi]. Ishte gjynah, e megjithatë s’ishte bash bash gjynah.

Imëni [në të majtë, i dyti] me ekipin Manchester Boys. “E theva këmbën veç 15 minuta pas kësaj fotoje” – tha ai.
Me këmbën që iu shëndosh, ai nënshkroi për Stellibrixh Selltik [Stalybridge Celtic], një klub gjysmë-profesional në afërsi të shtëpisë së tij. Menaxheri i parë ishte Xhorxh Smith [George Smith], një ish futbollist që po e ndërtonte një karrierë ndërkombëtare si trajner.

Xhorxhi – që më parë kishte punuar edhe në Islandë – e la Stellibrixhin për të menaxhuar Al-Hillallin [Al-Hilal], një prej klubeve më të mëdha të Arabisë Saudite. Pak më vonë, atë klub e la edhe Imëni, që shkoi në jug për të luajtur si profesionist për Pllajmuthin.

Por, aty ishte i tmerrshëm – pagesa s’ia paguante as qiranë – dhe luajti më pak se një edicion garash. Para se të kthehej në shtëpi, mori një letër.

Të-rë-rëm.

Vula postare ishte në arabisht.

Imëni me veturën e tij në shkretëtirën saudite.

Letra ishte nga ish trajneri i tij, Xhorxh Smithi. Ai donte që Imëni të fluturonte në Arabinë Saudite për një muaj prova. Nëse do t’iu bënte përshtypje të mirë – dhe nëse do ta duronte vapën – do të bëhej evropiani i parë me të cilin do të nënshkruante Al-Hillalli.

“Ishte nëntor, mendoj se edhe binte borë [Në Mançester],” thotë Imëni. “Mendova – Nuk është gjë e keqe.”

Por, nuk ishte veç moti i mirë që e ftonte atje. Imëni ishte martuar dhe kishte dy fëmijë; kalimi në Arabinë Saudite, kishte menduar, do të thoshte të paguaja hipotekën për shtëpinë më shpejt se që kisha menduar.

Shkoi në Londër dhe fluturoi për në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijad, përmes Kairos [Cairo] dhe Xhedahut [Jeddah]. Kur kishte mbërritur në Xhedah, e dinte se ajo ishte një botë krejt tjetër. Një zyrtar saudit ia mori Sunday Expressin e tij, i mori një palë gërshërë, dhe nisi t’i priste fotografitë e grave, duke iu lënë veç kokat.

Mund të ishte edhe më keq, thotë Imëni: burri ngjitur me të po mbante gazetën News of The World [Lajme nga Bota].

Tronditjet nga kultura veç sa kishin nisur. Në Rijad, Xhorxhi e priti Imënin në pistë, i ulur në një veturë të bukur. Në shtëpi, Imëni i grahte një Mini Morrisi.

Imëni [i dyti nga e djathta] duke luajtur për Al Hilalin në Arabi Saudite në vitet 1970.
Në Mançester, të haje peshk me patate të skuqura kushtonte shumë. Në hotelin me pesë yje, Imëni nënshkroi për pije dhe ushqim falas. Jetë o jetë!

Imëni – një 22 vjeçar që s’kishte tamam tamam as shtëpi – ishte në një univers tjetër. Nuk ishte veç zhegu, apo pemët e palmave ose shkretëtira e ndritshme që shtrihej në mbarë horizontin. Kjo ishte kamja.

Formimi i Opec-ut më 1960 [shën.i përkthyesit të Periskopit: Organizatë ndërqeveritare me tashmë 14 kombe përbërëse, e themeluar në Bagdat nga pesë anëtarët e parë] dhe kriza e naftës më 1973, nënkuptonin që ekonomia saudite po lulëzonte. Mes 1970-s dhe 1980-s, ekonomia e vendit u rrit për gati 3 mijë për qind. Po zhytej në naftë, dhe burra të mëdhenj fituan para të majme. Imëni do të zatetej me një prej tyre.

Për herë të parë, Imëni e pa Princin Abdullah bin Naser në vendin ku stërvitej me Al-Hillallin në Rijad.

Ishte ende në prova, kur po e luante një ndeshje kontrolluese dhe presidenti i klubit erdhi, Abdullahu pra, me një Buick të kaltër. Nga fusha, Imëni pa një palë sy që po i hidhnin sytë nga dritarja.

“Xhorxhi më tha: “A po e sheh atë kerr aty? Ai është burri – presidenti. Ai vendos për po a jo [për kontratën]. Kështu që, tregoju!”

Imëni e kishte treguar veten duke shënuar dy gola të mahnitshëm.

“Çfarëdo shume që po mendoje,” i tha Xhorxh Smithi lojtarit të tij për kërkesën financiare që do të kishte, “veç shtoji edhe një zero.”

Pas ndeshjes, Imëni ishte ende duke u djersirë kur takoi princin. Abdullahu e pyeti se a ishte hoteli në rregull; Imëni i tha se po. Abdullahu e pyeti se a ishte Xhorxhi i kënaqur; Xhorxhi tha se ishte.

“Atëherë, nisu në hotel dhe më shkruaj se çka dëshiron,” i tha princi.

Imëni dhe Xhorxhi e bënë një listë: pare, kerr, banesë, fluturime në Angli dhe mësime private për dy fëmijët e Imënit kur të mbërrinin moshën e shkollës. Herën tjetër që ushtruan, Buicku i kaltër erdhi sërish, dhe Xhorxhi ia dha Abdullahut listën.

“S’ka problem,” kishte thënë ai.

Në shtëpinë e vet, Imëni i merrte diku 50 Euro [40 Funte] në javë, plus 15 të tjera kur luante. Paga e tij e re ishte 170 [140 Funte] – që bën 1,300 sot, sipas të dhënave të inflacionit në Bankën e Anglisë. Nuk kishte as taksa, as fatura e as brenga.

Imëni ishte i pari evropian që luajti në Arabinë Saudite

Me kontratën të nënshkruar, Imëni u kthye në Mançester, i bëri gati valixhet dhe u kthye në Rijadin e nxehtë me familjen e tij. Së pari jetuan në hotel dhe – si më herët – nuk paguan për asgjë.

Gruaja iu punësua në Bankën Kombëtare të Qytetit dhe merrte rrogë të mirë, dhe, ndërsa Al Hillalli bënte stërvitje veç dy herë në javë, Imëni e kalonte kohën në pishinë, duke u kujdesur për fëmijët, dhe duke folur për futboll me Xhorxhin. Ishin ditë të lumtura në shkretëtirë.

Që nga fillimi, Abdullahut i pëlqente Imëni. I bleu një kerr të ri – “Një Pontiak Venturë [Pontiac Ventura]” – dhe shpesh e ftonte për të pirë çaj. Shikonin futboll në një televizion të madh [luks ishte ky alet më 1976-n] ose flisnin me vëllezërit e Abdullahut.

Në fushë, sendet po ashtu ishin mirë. Imënit i pëlqenin bashkëlojtarët, dhe ekipi ia doli të mbërrinte në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit [për të humbur në penallti nga rivalët e tyre, Al-Nasri [Al –Nassr]]. Arabia Saudite nuk ishte e përsosur – Imëni një herë i grahu kerrit në një shesh publik ku po rriheshin me kamxhik disa të dënuar, me fëmijët në ulëset e pasme – por jeta ishte e mirë.

Kur sezonit i erdhi fundi, ai u kthye në Angli për pushime. Por, para se të kthehej, Abdullahu ia mori numrin e telefonit të shtëpisë.

“Edhe unë do të shkoj në udhëtim në Angli,” i tha princi. “Duhet të takohemi.”

Pas tri javësh në Angli, Abdullahu i telefonoi në shtëpinë e nënës, ku po rrinte me familjen. Imëni kishte qenë jashtë ndërsa nëna e pranoi thirrjen.

I kishte treguar dhe më pas ai e kishte thirrur në telefon – në Carlton Tower, një hotel në Londër. Dy ditë më vonë ai ishte në trenin që shkonte për në Euston. Një shofer e takoi në stacion.

Edhe në Londër ai po shijonte paratë saudite.

Më vonë, një asistent i princit ishte kthyer në Rijad, dhe Abdullahu e pyeti Imënin nëse donte të shkonte me të në vend të tij në udhëtim. Më vonë shkonin në Paris, pastaj në Kanë, Romë, Kairo dhe në Arabinë Saudite. Gruaja e Abdullahut donte të blinte mobilje; princi planifikonte të hidhte zarin në kazinotë e Evropës.

Gruaja me fëmijë po shkonin në Uells, kështu që Imëni pranoi. Një javë më vonë, ai ishte në një limuzinë në Heathrow, gati për turin e madh me “Princin Qyshdo-që e ka emrin”.

Në këtë pikë, ata ishin shokë. Imëni dhe Abdullahu, shokë të çuditshëm.

“Shkonim mirë, qeshnim gjithë kohën,” tha Imëni. “Ma merr mendja se i shkonin nerva gjithë ata bythëlëpirës rreth vetes.”

Në aeroportin Sharl De Gol [Charles de Gaulle], ambasadori saudit e kishte takuar princin dhe shpurën e tij. “Me flamuj në kerre, e gjëra të tilla,” po e përshkruante skenën Imëni.

Kishte qenë në Paris ku kishte kaluar si s’ka më mirë, dhe kishte fjetur si njeri i lumtur. Por, ëndrrat e bukura s’do t’i zgjasnin.

Imën O’Kifë, Princi Abdullah bin Nasser dhe një nga gratë e tij në Barrakuda të Londrës më 1976.

Dy ditë më vonë, ata shkuan në Kanë, ku ishin në një kazino.

Pasi Abdullahu bëri atë që bëri, ashensori papritmas dukej më i vogël, tha Imëni.

Princi i kishte bërë të qarta ndjenjat e tij, por edhe Imëni. Ai nuk ishte gej [gay] si princi. Nuk kishte interes për një lidhje erotike me të. Donte të bëhej futbollist, dhe kurrgjë tjetër.

“Ishin ndonja 15 sekonda [derisa dera e ashensorit u hap],” tha Imëni. “Por m’u duk si një muaj. Kishte një ftohtësi të tmerrshme.”

Në atë moment, krejt udhëtimi ishte prishur. Atmosfera kishte ndërruar, dhe ashtu edhe itinerari. Në vend se t’i kalonin tri netë në Romë, e kaluan veç një; në vend se të ndaleshin në Kairo, shkuan drejt e në Rijad.

“Ishte si akull,” kujton Imëni.

Ai ishte i turpëruar, por jo i brengosur. Në ashensor, Abdullahu i kishte thënë që lidhja e tyre do të kthehej në atë mes “presidentin dhe lojtarit”, dhe Imëni e kishte besuar.

“Nuk kisha menduar për asnjë minutë që isha në ndonjë rrezik,” tha ai. “Mendoja – e kam kontratën, do t’i kthehemi normales.”

Pasi u kthye në Rijad, kjo ndryshoi. Homoseksualiteti ishte – dhe ende është – i paligjshëm aty, dhe familja mbretërore ishte – dhe ende është – e plotfuqishme. Imëni nuk do të zbulonte të fshehtën e Abdullahut [që ai ishte gej] – por çka nëse Abdullahu do të ndihej nën presion?

Imëni u ndje i brengosur. Klaustrofobik. Paranojak, ndoshta. Shkoi e i tha Xhorxhit se çka kishte bërë vaki, që të merrte mbështetje. Nuk e mori.

“Nuk do ta lënë me kaq, o idiot,” i tha Xhorxhi.

Xhorxh Smithi i ka 84 vjet tash, ende shikon futboll dhe ende veç kur shpërthen me rrëfime të përçudshme nga karriera e tij e gjatë. A i kujtohet Imëni? “Oh, po,” tha ai në telefon nga Rochdale. “Unë e bëra profesionist.”

Rrëfimet e Xhorxhit kërcejnë nga Arabia Saudite në Islandë, nga Omani në Bahrejn. Por, Imëni i pëlqente, dhe edhe para turit që bënë në Evropë me princin, trajneri i tij kishte qenë i shqetësuar. Imëni kalonte shumë kohë me Abdullahun, mendonte ai – dhe Abdullahu harxhonte shumë para me Imënin.

“Mendoja se ishin shumë të afërt, dhe presidenti [Abdullahu] e dinte,” tha ai. “Ai e dinte që unë brengosesha për këtë gjë.”

Kur Xhorxhi dëgjoi se çka kishte ndodhur në Kanë, i tha Imënit ta linte Arabinë Saudite menjëherë për sigurinë e tij. “Ai ishte në rrezik,” thotë ai. “Çdo gjë mund t’i ndodhte.”

“Si për shembull?”

“Zoti e di. Aksident i ndonjë forme. Ai po ndërhynte me familjen mbretërore – nuk mund ta bësh atë gjë.”

Imëni ishte zverdhur. Ai e dinte një të fshehtë për një prej burrave më të fuqishëm të vendit – mendonte – dhe kjo e vinte në rrezik. Ai e kaloi natën në kauçin e Xhorxhit, duke e kundruar tavanin. Ai ishte 22 vjeçar, larg nga shtëpia, dhe i frikësuar. Familjen e kishte në Angli, dhe nuk mund t’i linte që të ktheheshin në Rijad.

Por, kishte një problem.

Imëni tash është në pension, por megjithatë ende punon part-time për Evertonin

Për ta lënë vendin, shefi i tij  duhej të nënshkruante vizën dalëse – dhe shefi i tij ishte Princi Abdullah. Për Imënin, Arabia Saudite gjithnjë dukej e shkëlqyer. Por tash, dukej si një kafaz i shkëlqyer.

Imëni ishte zgjuar në sabah me vendimin që të gënjente.

Ai do t’i thoshte Abdullahut se babain e kishte të sëmurë, dhe që i duhej të kthehej në Angli. Shkoi në rezidencën e princit, i tha rrenën dhe priti për reagimin e tij. Abdullahu e dëgjoi por nuk mori asnjë vendim. E bëri të djersinte. Do ta diskutojmë nesër, i tha.

Ishte një tjetër natë e gjatë. Hoteli pesë-yjësh në Paris, ku kishte fjetur pa asnjë gajle në botë, dukej tanimë shumë shumë i largët.

Ditën tjetër, Imëni shkoi te klubi të takohej me Abdullahun. Princi e mbylli erën dhe i tha stafit të mos e shqetësonin. Imënit i kujtohet princi i ulur në krye të tavolinës së tij të madhe.

“A është shkaku i Francës?” e pyeti princi. “Nuk e besoj që do të kthehesh.”

Ndërsa Imëni provonte ta bindte se do të kthehej, Abdullahu e nxori një kimin dhe një letër. Ngadalë, thotë Imëni, ai filloi të shkruante në arabisht. Ishte një marrëveshje. Imëni do të kthehej në shtëpinë e tij, por veç për një javë.

Krejt çka duhej të bënte ishte të nënshkruante.

Por, Imëni s’mund të lexonte në arabisht. Mund të ishte duke e nënshkruar një marrëveshje që do ta mbante gjithë jetën në Arabi. Kështu që, s’mund të nënshkruante.

Mirëpo, as ta hidhte marrëveshjen, s’mundej. Nëse do ta bënte, princi kurrë s’do ta linte të shkonte. Mendoi, shpejt, dhe vendosi ta bënte atë që tash e quan “Blofi i jetës”.

“A doni ta nënshkruaj këtë gjë?” e pyeti Imëni. “Më duhet t’i besoj kësaj kontrate në arabisht – e ju s’më besoni mua? Ok, s’ka problem.”

Imëni e kishte marrë kimikun dhe deshi ta nënshkruante. Në momentin e fundit, Imëni thotë, Abdullahu e mori letrën, e grisi, dhe e hodhi në koshin e hedhurinave.

“Do t’iu aranzhoj një fluturim,” i tha.

Të nesërmen, Imëni shkoi në aeroport. Mori tesha veç sa për një javë, në mënyrë që Abdullahu të mos besonte se ai nuk do të kthehej. A ishte ende i frikësuar?

“Absolutisht,” tha Imëni. “Sepse nëse ai [Abdullahu] do të thoshte që nuk do të flutorsh, nuk do të fluturosh dhe pikë. Edhe kur u nis aeroplani, unë isha i brengosur.”

Pasi ateroi në Londër, i mëshoi karriges me gëzim .Por, problemet s’kishin të mbaruar. Që ta vazhdonte karrierën në Angli, i duhej të regjistrohej në FA [Asocacioni i Futbollit]. Për t’u regjistruar në Asociacionin e Futbollit si futbollist, i vyente një letër e lëshuar nga Arabia Saudite që nuk e lidhte me atë vend.

Pasi kishte folur me FA-në, Imëni e kishte marrë një faks nga Rijadi ku kërkoheshin:

-Rreth 10 mijë Euro [8,000 funte] për shkeljen e kontratës

-Rreth 1300 Euro për prishjen e kondicionerit të ajrit në banesën e tij

-Rreth 500 Euro borxh që i kishte marrë Abdullahut

-Minus, paga një-mujore që i detyrohej klubi atij.

Imëni mund të pranonte pikën një dhe katër. Të tjerat, thoshte ai, ishin hakmarrje nga Abdullahu. Kondicioneri i ajrit nuk kishte qenë i thyer. Dhe kurrë s’kishte marrë para borxh nga princi.

Por, Jimmy Hill, një prej njerëzve më të famshëm në futbollin anglez të viteve ’70 i kishte ndihmuar dhe ai kishte dalë me pak therra në këmbë.

Imëni ishte zgjedhur që të luante për Kombëtaren e Irlandës kundër Anglisë

Kur ishte kthyer në Angli, Imëni kishte qenë i dërrmuar financiarisht.

Nuk mund t’i merrte pagat – që ishin në xhirollogari saudite – kështu që duhej ta shiste shtëpinë në Olld-hem [Oldham].

Pas disa sukseseve në futbollin amator, me ekipin e Mossleyt, ai kishte nënshkruar për Evertonit në kategorinë e parë angleze [sot Premier Ligë]. Kishte luajtur 40 herë për atë klub dhe kishte shënuar gjashtë gola para se të kalonte në Uigën Ëtlletik [Wigan Athletic]. Ai po ashtu, kishte luajtur pesë herë për Anglinë, përfshirë edhe një ndeshje kundër Anglisë në Uemblli [Wembley].

Sa për princin, autoritete nga klubi kanë refuzuar të komentojnë për rastin. Gjyshi i Abdullahut – Ibn Saudi, themeluesi i vendit – i kishte 45 pesë djem. Nga këta, 36 i kishin kallaballëk fëmijë të tjerë, një prej të cilëve kishte qenë edhe Abdullahu.

Imëni vazhdon të jetojë në Mançester, dhe po kurohet për kancerin me sukses.

“E doja kohën që e kalova në Arabi Saudite – si mund të mos dojë dikush të jetojë ashtu?” thotë ai. “I doja shokët e ekipit, gjithçka ishte mirë. Ishim të lumtur.”

Tetë vjet më parë, Imëni e ka shkruar autobiografinë e tij. Titulli i tij e kapë shumë mirë jetën e tij të thjeshtë. “Unë veç doja të luaja futboll”. /PERISKOPI

Shpërndaje në: