Pritet të propozohet komision parlamentar për kontrollimin e Fondit të Sigurisë

Pritet të propozohet komision parlamentar për kontrollimin e Fondit të Sigurisë

Deputetët opozitarë kanë synim të propozojnë komision parlamentar që do të vëzhgonte apo monitoronte procesin e mbledhjes së mjeteve në Fondin e Sigurisë, si dhe mënyrën e shpenzimit të tyre. Kështu për Periskopin  ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha.

‘’Është propozim për me i hjek këto dilema, do të bëhet një komision prej Kuvendit të Kosovës i cili do të udhëhiqet nga njerëz të besueshëm dhe që do t’i informojë gjithë se sa ka mbërri’’  , ka thënë Berisha.

Tutje ai beson në mundësinë e manipulimeve nga ana e donatorëve dhe premtimeve boshe, megjithatë mendon se qëllimi është shumë më i madh.

‘’Unë e di që te na ka zëra shumë për shkak edhe të disa fondeve si ‘Vendlindja Thërret ose ‘3 përqindëshi’ edhe janë keqpërdorë, janë kanë temë e janë etiketu plot njerëz. Ka pasë edhe keqpërdorime. Mundet me pasë kurreshtje sa pare janë bë, mirëpo këto nuk janë fort për me i bo transparente.Ka edhe që rrejnë por në fund të fundit, qëllimi i fondit është më i madh.’’.

Një mbikqyrje parlamentare e sheh të nevojshme edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Kadri Kastrati. Ai për Periskopin deklaroi se procesin duhet ta kontrollojë patjetër edhe dikush nga opozita, në mënyrë të shmangies së ndonjë keqpërdorimi të mundshëm.

‘’Mendoj që pozitë e opozitë ish dashtë me kontrollu edhe sa mjete janë tubu  por edhe sa shpenzohen e si shpenzohen nga ai fond. Sepse nëse veç pozita e kontrollon atë fond, lind dyshimi se ai fond mund të keqpërdoret për çështje tjera’’, tha ai.

Sipas Kastratit, ushtria nuk mbahet me vitra të popullit, por që duhet të ndahet buxhet dinjitoz për sigurinë. Ai tutje nuk sheh arsye pse të mbahet fondi sekret nga ana e Qeverisë.

‘’Buxheti gjithë është publik. Unë nuk shoh arsye që fondi me qenë sekret. Fondi duhet me qenë pubik dhe me tregu sa mjete financiare janë mbledh për këtë çështje. E si shpenzohen ato, normal që ushtria mban pajisje e armatime që s’ka nevojë të jenë publike’’.

Qeveria e Kosovës, më 2 mars, kishte themeluar Fondin për Ushtrinë, bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në përgjegjësinë për menaxhim nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, mjetet e grumbulluara parashihet të përdoren për mbështetje të prioriteteve, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore etj.

Qysh në fillim, prej Qeverisë kishin thënë se shuma e donacioneve do të mbahet diskrete, shkak siguria kombëtare. Përtej kësaj, kryeministri Albin Kurti sikur ishte fryer me  shifra të përgjithshme, por jo konkrete.

Deri më tani në Fondin e Sigurisë janë grumbulluar para me numër shtatëshifrorë e donatorë të cilët kanë dhënë para janë në numër katërshifrorë”, ishte kjo përgjigja e Kurtit.

Mirëpo, Periskopi  mëson se që nga krijimi i fondit e deri tash nuk janë mbledhur as 2 milionë euro. Sipas burimeve, kjo besohet të jetë arsyeja pse nuk po bëhet publike shuma e saktë e mjeteve të grumbulluara, pasi mund të shihet si dështim.

Kujtojmë që Kosova për këtë vit ka ndarë 100 milionë euro për ushtrinë nga buxheti i saj. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë. Ndërsa, në nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se shuma e ndarë për ushtrinë përbën 1,3 për qind të Bruto-Produktit Vendor./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: