Probleme të mëdha, ide të vogla: Politikanët e Kosovës, hoxhallarë kukatës e moralizues

Probleme të mëdha, ide të vogla: Politikanët e Kosovës, hoxhallarë kukatës e moralizues

Vjosa Osmani është kandidatja e fundit për kryeministre në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Kandidatët e tjerë janë një tufë burrash që mungesën e ideve e mbulojnë me patriotizëm primitiv: Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj.

Një ndër kritikat kryesore që thuhet vazhdimisht është mungesa e debatit për programe e ide serioze politike. Një tjetër kritikë është mungesa e profilizimit të qartë ideologjik. Dhe më e rëndësishmja, që nuk është shprehur e artikuluar ende, është mungesa e sfidimit serioz të ‘status quo’-së. Me një fjalë, mungesa e luftës së qartë e të hapur ndaj praktikave dhe kulturës abuzive të punës.

Cilat janë idetë ambicioze të partive opozitare në këto Zgjedhje? Ta themi haptas dhe troç: nuk ka ide të tilla. Kemi të bëjmë me një boshllëk të tmerrshëm teorik. Me një paaftësi trishtuese në mendim. Me mendje dembele e të rehatuara që nuk lodhen për diskriminimin klasor e racor në shoqërinë tonë e nuk lodhen për asnjë problem tjetër. Dhe që, për rrjedhë, të vetmit njerëz që do t’ia shohin hairin janë ata robë me interesa direkte materiale prej tyre: anëtarët e partive bashkë me familjarë e të afërm. Pra, jo vetëm partitë në pushtet, por edhe partitë opozitare janë bërë konformiste ndaj sistemit ekonomik dhe ndaj praktikave abuzive shoqërore.

Mungesa e ideve të forta e të nyjëtuara në kontekstin tonë e bëjnë të pavlefshëm e banal dallimin ideologjik mes partive. I heshtin antagonizmat shoqërore [sepse, grupe të caktuara shoqërore janë të kundërvëna ndaj njëra-tjetrës, si në çdo shoqëri tjetër] dhe pajtojnë përmes asaj heshtjeje kriminale njeriun e shtypur me shtypësin, njeriun e varfër me të pasurin, punëtorin e sektorit privat me atë të sektorit publik, punëtorin që e mbledh bërllokun me një punëtor badihavxhi e me rrogë katër-pesëfish më të madhe. E kështu me radhë.

Kësisoj, ne mbesim brenda një paradigme mesjetare ku liderët politikë i shohim si hoxhallarë që ofrojnë derse morale dhe ku mbyllen veshët ndaj asaj që thuhet, por mbiçmohet mënyra se si thuhet. Pak-a-shumë ngjashëm si me disa fise indigjene guarani, ku prijësi vlerësohet për shkak të oratorisë, por fjala e tij është krejt e pavlerë dhe s’merret seriozisht. Kemi liderë që belbëzojnë dhe kemi oratorë. Kemi njerëz me gojë dhe njerëz me muskuj. Por, fjala e tyre në vetvete duhet të jetë në përputhje të plotë me vlerat dhe botëkuptimet shoqërore. Çdo dalje jashtë ose kërcënim ndaj këtyre vlerave shihet me të keq dhe kriminalizohet. Me një fjalë, Kadri Veseli shkon në odë të mbushur me burra, Albin Kurti shkon po ashtu në odë të mbushur me burra.

Askush nuk meriton të marrë miliona euro nga vendi më i varfër për kukatje e moralizim. Do të duhej që secili lider politik të ndjente detyrimin për të ofruar ide të mëdha, ide që do ta bënin dallimin dhe do t’i jepnin jetë demokracisë së vendit. Ide ambicioze për politika që do t’i bënin zgjedhjet tamam zgjedhje.

Programet politike janë menduar, kushedi pse, nga vetë këta liderë, si gjëra të thella e të errëta, e të cilat nuk do të kuptoheshin kollaj nga masat. Diskutimet për idetë janë paraparë si diskutime të thella teorike që do të zgjatoheshin pastaj nëpër ide të filozofisë politike, e për të cilat s’ia ka haberin asnjëri.

Këto parakuptime qesharake shprehin injorancë të thellë. Qytetari i rëndomtë i vendit, si çdo qytetar i shoqërive tjera demokratike, është i aftë me rezonu mbi telashet dhe hallet e veta. E vërteta është se vetë liderët nuk janë të aftë me rezonu mbi ato telashe reale dhe me i lidhë në programet e tyre. Për rrjedhë, e kanë të pamundur ta ofrojnë qoftë veç një ide të madhe dhe t’i mobilizonin njerëzit përmes saj.

Askush nuk ka dhënë asnjë ide ambicioze për qindra-mijëra gra të lëna në fatin e robëve, si amvise, dhe që janë më të ekspozuarat ndaj dhunës në familje. Askush nuk ka dhënë asnjë ide ambicioze për destigmatizimin gjinor të një vargu të madh punësh që janë jashtë zyreve apo ndërtesave. Askush nuk ka dhënë asnjë ide për defiksionalizimin e tregut të punës, domethënë, mbylljen e punëve të panevojshme dhe të cilat gjenerojnë nepotizëm e klientelizëm duke qenë jashtë përgjegjësisë. Nuk ka asnjë ide as për angazhimin në ndonjë formë të të rinjve që kanë mbetur 60% të papunë. Po ashtu, s’ka asnjë ide për programe sociale shtesë për komunitetet romë, ashkali e egjiptas që jetojnë në kushte çnjerëzore. E kështu me radhë.

Këta janë konformistë që duan t’i ruajnë privilegjet. Çdo mendim i rrezikon direkt ato privilegje. Kësisoj, aleancën e vërtetë e kanë me njerëz të sojit të Agim Bahtirit, pra me njerëz të pasur nga të cilët financohen. Natyrisht, aleancë të vërtetë kanë edhe me anëtarët e partive dhe familjarët e tyre.

Unë do ta votoj Vjosa Osmanin, jo sepse ka ndonjë ide të jashtëzakonshme, por sepse të paktën në nivel përfaqësimor i mëshon paksa seksizmit dhe e largon erën koqe nga institucionet e rëndësishme.

Shpërndaje në: