Profesorët universitarë, optimistë që këtë vit të hiqen vizat për kosovarët

Profesorët universitarë, optimistë që këtë vit të hiqen vizat për kosovarët

Çështja e liberalizimit të vizave do të diskutohet në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor. Kështu ka njoftuar Presidenca Çeke, e cila nëpërmjet një letre dërguar shteteve anëtare të BE-së thuhet se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është tejet i vonuar. Ndërkohë njohës të integrimeve, vlerësojnë se deri në fund të vitit mund të merret vendimi për largimin e vizave për kosovarët.

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor. Presidenca Çeke me anë të një letre të cilën e ka dërguar tek shtetet anëtare të BE-së, thuhet se liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE që tashmë është tejet i vonuar. Tutje në letër thuhet se Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor i cili akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare janë optimist se liberalizimi i vizave do të ndodh gjatë këtij viti. Profesori i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit, Valon Murtezaj ka thënë për Radio Kosovën se Kosova ka kohë që i ka plotësuar të gjitha kriteret, dhe sipas tij në vjeshtë të këtij viti mund të merret vendimi.

“Kosova ka kohë që i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe të tjera të cilat kanë qenë në udhërrëfyesin e BE-së, prandaj është momenti i fundit që BE-ja t’i ofrojë qytetarwve të Kosovës lirinë e lëvizjes. Në vjeshtë të këtij viti pra, mund të merret vendim kryesor që do të thotë se qytetarëve të Kosovës do t’u hiqen vizat”, deklaroi Murtezaj.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka deklaruar se këtë vit mund të merret vendim, ndërkohë që vizat do të largohen vitin e ardhshëm.

“Procesi i liberalizimit të vizave mund të ndodh, nuk mendoj që në fund të këtij viti, por që të paktën gjatë këtij viti do të merret vendimi për largimin e vizave, tha Arifi.

Lulzim Peci nga KIPRED ka deklaruar se për shkak të qëndrimit të Francës e cila dikur ishte kundër liberalizimit të vizave, e tani po e përkrahë atë, regjimi i vizave do të mund të ndodh shpejt për kosovarët.

“Mendoj që kjo sivjet do të ndodhë, meqë Franca e ka ndryshuar  qëndrimin dhe nuk besoj që pritet ndonjë problem i madh. Nuk është tani problemi politik, tash është çështje procedurale brenda BE-së, shtoi Peci.

Deri tani, Komisioni Evropian ka rekomanduar disa herë që Kosovës t’i liberalizohen vizat, pasi sipas këtij Komisioni Kosova i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Megjithëkëtë, Kosova mbetet i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Shpërndaje në: