Profesori i njohur për vizitën e Kurtit në ShBA: E paplanifikuar dhe pa agjendë, e gjatë karshi problemeve që po përballet vendi

Profesori i njohur për vizitën e Kurtit në ShBA: E paplanifikuar dhe pa agjendë, e gjatë karshi problemeve që po përballet vendi

Tetëmbëdhjetë ditë në SHBA. Tetëmbëdhjetë ditë “sorollatje” nëpër kompani të ndryshme në SHBA, u vlerësua nga opozita dhe shoqëria civile vizita e kreut qeveritar Albin Kurti .

Analisti i mirënjohur i çështjeve politike, Avdi Smajljaj, në një prononcim të shkurtër për Periskopin e ka quajtur “të paplanifikuar dhe pa agjendë”, vizitën e Kryeministrit Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vizitë a pa planifikuar, pa agjendë, tepër e gjatë karshi shumë problemeve të brendshme e të jashtme me të cilat përballet vendi”, u shpreh z. Smajljaj.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare foli edhe për heshtjen e Qeverisë ndaj zhvillimeve brenda një dite, të premten, siç ishte thirrja e vendeve të QUINT-it për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit dhe faktin që Kosova nuk hyri as në agjendë të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës.

“Qeveria duhet të ketë qëndrim të qartë sa i përket kësaj çështje” tha ai për çështjen e Manastirit të Deçanit.

Sipas profesor Smajljajt mospërfshirja e Kosovës në agjendën në Këshillin e Evropës mund të jetë vonesa e aplikimit nga Qeveria e Kosovës.

“Mospërfshirja në agjendë në KeE, mund të jetë edhe për shkak të dorëzimit vonë të aplikacionit, kjo do të duhej bërë me kohë që të ketë mundësi të përfshihet në agjendë. Pra, vonesë e institucioneve tona për të dorëzuar aplikimin”, tha z. Smajljaj për Periskopin.

Kujtojmë se, që nga marrja e mandatit si kryeministër, kjo është vizita e parë zyrtare e Kurtit në ShBA. Ndërsa në anën tjetër vendet e QUINT-it janë duke bërë thirrje të vazhdueshme për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit, ku takimet me krerët e vendit janë mjaft të shpeshta në lidhje me këtë çështje. Nuk dihet nëse kjo heshtje e Qeverisë do të ketë ‘pasoja’ për shtetin nga vendet ndërkombëtare./PERISKOPI/

Shpërndaje në: