Projektligji për pagën minimale sot në Kuvend

Projektligji për pagën minimale sot në Kuvend

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në ora 11:00 për të vazhduar seancën me pikat e papërfunduara nga seanca e 5 majit.

Do të shqyrtohen tri projektligje e do të ketë debat parlamentar për punën e Qeverisë në vitin e parë të mandatit të saj.

Po ashtu një prej pikave që është në rend dite është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Deputeti i Vetëvendosjes, Amend Muja ka thënë se presin kundërshtime nga opozita PDK-LDK-AAK lidhur me këtë projektligj.

“Unë parashoh kundërshtime nga opozita PDK-LDK-AAK me arsyetime të ndryshme, por realja është kjo – mungesa e guximit politik dhe varshmëria e tyre ndaj biznesit të madh. PDK do të kundërshtoj rritjen minimale me arsyetimin se kinse nuk është e lidhur me beneficionet e veteranëve – kjo nuk qëndon sepse ishte PDK-LDK që e shkoqitën lidhjen pagë minimale-beneficion i veteranëve në një seancë të datës 30.12.2016. Arsyet më reale të kundërshtimit të PDK shfaqen në mbledhjen e Qeverisë Haradinaj të datës 18.04.2019 përmes Ministrave Hamza, Beqaj dhe Hoxhaj – pagën minimale e përcakton vet sektori privat. Nga AAK që në seancën e Kuvendit të datës 17.04.2019 kishte premtuar pagë minimale 239 euro por nuk e kishin realizuar asnjëherë, pres që përmës Besnik Tahirit të vajtoj se pse paga minimale nuk është 400 euro”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerën prej 250 eurosh neto apo 264 euro bruto.

Paga minimale në Kosovë ishte 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.

Shpërndaje në: