Prokurori i EULEX-it që dështoi të hetonte masakrën e Krushës, sot prokuror në Gjykatën Speciale

Prokurori i EULEX-it që dështoi të hetonte masakrën e Krushës, sot prokuror në Gjykatën Speciale

Objekti i shkollës në Krushë të Vogël, gati një dekadë më parë, u kthye në zyrë hetimesh nga një prokuror i EULEX-it

Ishte viti 2012 kur në këtë objekt, prokurori i EULEX-it, Cezary Michalczuk, kishte intervistuar dhjetëra dëshmitarë të masakrës së Krushës së Vogël. Edhe pse kishte thënë se ka 56 të dyshuar, vetëm ndaj njërit u ngrit aktakuzë e që më pas u dënua. Pjesa tjetër e serbëve, vazhdojnë të jenë të lirë.

Por, prokurori Michalczuk, i cili tash është emëruar prokuror në Gjykatën Speciale, në vitin 2013 kishte pushuar hetimet rreth kësaj masakre ku u vranë 113 civilë shqiptarë.

Në mesin e personave që dëshmoi ishte edhe i mbijetuari i masakrës, Bajram Zylfiu. Ai ende i ka dokumentet me emrat e 56 serbëve që e kryen këtë masakër, e që ia kishte dhënë këtij prokurori.

“Unë e kam ditë, qekjo Evropë është tjetër nuk ka. Evropa gjithmonë popullin shqiptar e ka gënjy.  Edhe UNMIK-u ka mujt me bo diçka, ama kam dëgju që edhe ato dokumenta i kanë gju në bërllog, tash edhe EULEX-i njëjtë”, thotë Zylfiu.

Për Bajramin është absurde se si prokurorët që nuk arritën ta hetojnë vrasjen e 113 civilëve shqiptarë në Krushë, sot po i hetojnë krerët e UÇK-së.

“Qe edhe EULEX-i. Tash ky Michalczuk po shkon me dënu Thacin, Veselin, Rexhep Selimin etj. Jaran duhet me pa çka kanë bo, a mos u kanë qeky Michailcuki që ma bojke mu a e ke pa me sy”, shprehet ai.

Për 4 orë me radhë, Michalczuk kishte intervistuar edhe Gani Zylfiun, nënkryetarin e fshatit Krushë e Vogël. Por, dëshpërimi është i madh, pasi nga atëherë, nuk u kontaktuan më kurrë.

“ Michalczuk dul shumë tip i mbyllur, kam prit që ka me bo diçka, por realisht kërkush nuk na ka thirrë ma, e shumë pak është bo për këtë masakër”, thotë Gani Zylfiu.

Por, në një përgjigje për RTK-në, misioni i EULEX-it është krenuar me faktin që për këtë rast, nga 56 të dyshuar, është dënuar Darko Tasiq muaj më parë.

Fajin për mos-vazhdimin e hetimeve, ky mision ia ka lënë Kodit të Procedurës Penale, dhe faktit që ka munguar Ligji për Gjykim në mungesë.

“Në rastin e Krushës së Vogël dhe në të gjitha rastet e tjera, Misioni ndoqi ligjin e Kosovës, i cili në atë kohë kërkonte që të dyshuarit të intervistoheshin para mbylljes së hetimit. Nuk kishte asnjë̈ alternativë tjetër përveç pezullimit të hetimit, përndryshe periudha dyvjeçare do të skadonte dhe nuk do të ishte e mundur të vazhdohej më pas pa prova të reja. Ligji i Kosovës gjithashtu thoshte se askush nuk mund të gjykohej në mungesë”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Mirëpo, në pyetjen e televizionit nëse ndihen jokompetentë për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës, EULEX shkon aq larg sa që rekomandon se çfarë duhet të bëjë televizioni publik dhe se si duhet t’i formulojë pyetjet.

Javën e kaluar RTK ka raportuar për emërimin e prokurorit Cezary Mihailczuk si prokuror në Gjykatën Speciale. Ky i fundit, deri para pak muajsh, kishte qenë shef për sundimin e ligjit në zyrën e BE-së në Kosovë dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Natylia Apostolovas.

Shpërndaje në: