Prokurori i Specializuar kërkon që Salih Mustafa të marrë dënim me burgim të gjatë

Prokurori i Specializuar kërkon që Salih Mustafa të marrë dënim me burgim të gjatë

Prokurori i Specializuar Jack Smith ka kërkuar nga trupi gjykues që Salih Mustafës t’i shqiptohet dënim me burgim të gjatë. Sipas tij për këtë duhet marrë parasysh realiteti i krimeve dhe efekti që kanë pasur në jetën e viktimave dhe familjeve të tyre.

Derisa e ka paraqitur deklaratën përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Smtih ka thënë se Salih Mustafa ka pasur rol të dyfishtë, sipas tij si komandant dhe autor i drejtpërdrejt në keqtrajtimet që prokuroria pretendon se janë kryer në një shtëpi ndalimi në fshatin Zllash.

“Zyra ime ka kërkuar që ju të jepni një dënim të gjatë me burg të akuzuarit. Ju e dini që ne nuk e bëjmë këtë me lehtësi por vetëm pas një shqyrtimi të thellë të të gjithë faktorëve të cilat do të merren në shqyrtim për caktimin e një dënimi të drejtë në një rast të tillë të rëndë. Realiteti i akuzave i krimeve të akuzuara duke përfshirë efektin shumë të madh që ato kanë pasur në jetën e viktimave dhe familjeve të tyre është një aspekti i rëndësishëm për tu marrë parasysh. Në këtë rast roli i dyfishtë i të akuzuarit si komandant dhe pjesëmarrës përbën një faktor të madh rëndues për dënimi e tij. Si një autor i drejtpërdrejt Salih Mustafa siguroi që ata që ai kishte nën komandë t’i trajtonin viktimat me brutalitet dhe ashpërsi të veçantë”, ka thënë Prokurori i Specializuar.

Prokurori i Specializuar ka thënë se kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me viktimat dhe familjet e tyre që sipas tij kanë vuajtur tërë jetën për shkak të Salih Mustafës.

“Kjo çështje ka të bëjë me viktima dhe familjet e tyre, persona të pafajshëm që kanë vajtuar gjatë gjithë jetës dhimbjet për shkak të akuzuarit, kjo çështje ka të bëjë gjithashtu me llogaridhënien duke konfirmuar sundimin e ligjit për të ardhmen, një e ardhme e mbështetur në drejtësi që viktimat dhe familjet e tyre kanë kërkuar kaq shumë kohë dhe për lirinë e tyre për të jetuar jetën si anëtar të barabartë të komunitetit në Kosovë. Për këto arsye dhe bazuar vetëm në prova dhe ligj ju kërkojmë që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e akuzuara dhe të jepni dënimin e rekomanduar sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet e rënda që ai ka kryer”, ka thënë Prokurori i Specializuar.

Gjatë deklaratës përmbyllëse, Smith ka thënë se Salih Mustafa nuk ka bërë asnjë përpjekje që të shpreh keqardhje për viktimat.

“I akuzuari nuk ka bërë asnjëherë ndonjë përpjekje të shpreh keqardhje apo simpati për viktimat e krimeve të tij që ju i keni dëgjuar këtu të deponojnë gjatë vitit të kaluar. Megjithëse ka dëgjuar si viktima e vrasjes ishte rrahur derisa lëkura ju mbush me shenja të zeza, si viktima 1617 ju nënshtrua goditjeve me korent, si viktimat janë stigmatizuar nga komunitetet e tyre, si kanë vajtuar fizikisht dhe psiqikisht dhe vazhdojnë të vuajnë, asnjëherë nuk ka ofruar keqardhje apo të pranojë dëmin që e ka shkaktuar. Bashkë me faktorët rëndues, mungesa e plotë e faktorëve zbutës janë në favor të dënimit të rekomanduar nga zyra jonë”, ka thënë Smith.

Smith ka folur edhe njëherë për atë që ai e konsideron klimë e hakmarrjes dhe frikësuese në Kosovë, çka sipas tij dëshmitarët kanë rrezikuar duke u paraqitur si dëshmitarë.

Prokurori i Specializuar vlerëson se këto veprime duhet të llogariten në favor të kredibilitetit të dëshmitarëve.

Smith ka thënë se provat provojnë përgjegjësinë e Salih Mustafës që sipas tij ka pasur rol komandues në kompleksin e Zllashit.

Smtih: Salih Mustafa ishte figurë komanduese në BIA, sulmet kanë ndodhur në praninë e tij

“Ai nuk ka qenë jo i lidhur me këtë qendër, siç ka shpjeguar vet kur është pyetur, ai ka thënë në mënyrë të padiskutueshme dhe po citoj ‘Unë jam shtabi’, duke nënvizuar autoritetin e tij të plotë dhe përfundimtar ndaj vartëseve të tij në BIA’. Ai ishte një figurë komanduese në BIA në të gjitha drejtimet, ai jepte urdhëra dhe këto urdhëra ndiqeshin. Hera e parë që dëshmitari 1679 u rrah kjo ndodhi në praninë e të akuzuarit i cili filloi sulmin ndaj kësaj viktime dhe pastaj në të morën pjesë edhe vartësit e të akuzuarit të cilët ai i drejtoi t’i jepnin fund atij”, ka thënë Smith.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë është drejt fundit dhe tani është faza kur dëgjohen deklaratat përmbyllëse të palëve.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Shpërndaje në: