Prokuroria e Tiranës nis hetimet për disa farmaci: rritën çmimet e maskave

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për disa farmaci: rritën çmimet e maskave

Prokuroria e Tiranës ka nisur një procedim penal për “manipulim të tregut” nga farmacitë në lidhje me rritjet e çmimeve të disa produkteve (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), që shërbejnë si masa për parandalimin e përhapjes së koroanvirusit.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe nga administrimi i të dhënave operative në lidhje me veprimet e disa farmacive në drejtim të rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “Manipulimi i tregut” parashikuar nga neni 143/a/1 i Kodit Penal.

Aktualisht jemi në fazën e mbledhjes së informacioneve të nevojshme për evidentimin dhe dokumentimin e të gjitha rasteve, në të cilat dyshohet se disa subjekte në mënyrë abuzive dhe të paligjshme kanë rritur çmimet mbi produkte te ndryshme (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), duke përfituar nga situata e krijuar për shkak të interesimit, në rang të marrjes së masave kundër Coronavirusit, në dëm të interesave të ligjshme, dhe në shkelje të normave ligjore.

Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo paraqitje jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funskionimit të lirë dhe drejtë të tregut, është penalisht e dënueshme.

Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë.”

 

Shpërndaje në: