Prokuroria flet për vrasjen e zyrtarëve të PDK-së

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelorë të Pejës, Shkodran Nikçi në një konferencë për media lidhur me rastin tragjik të së mërkurës në Pejë ku u vranë dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës tha se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.

Nikçi tha se derisa të vazhdojnë hetimet janë të rezervuar në dhënien e informatave pasi rasti është i ndjeshëm dhe mund të dëmtohet procesi i hetimeve.

“Të mërkurën mbrëma si pasojë e të shtënave me armë dy persona kanë vdekur dhe një është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet policore dhe prokurorja e Departamentit të krimeve të rënda.  Sot gjatë ditës kryeprokurori, prokurorja dhe hetuesit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë intensive po zhvillohen hetimet që të zbulohen rrethanat dhe motivet”, ka deklaruar Nikçi.

Ai tha se janë sekuestruar dy armë, derisa dy trupat e viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“….Në disa pista janë duke u zhvilluar hetimet dhe pasi hetimet të përfundojnë do të dalim me njoftim zyrtar. Derisa të vazhdojnë hetimet duhet të jemi të rezervuar pasi është rast i ndjeshëm dhe mund të dëmtohen hetimet”, tha ai.

Vrasja e mbrëmshme në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën, ku të vdekur mbetën kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj.

 

Shpërndaje në: