Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për të dyshuarin e sulmit seksual ndaj Mrika Nikqit

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për të dyshuarin e sulmit seksual ndaj Mrika Nikqit

Prokuroria e Pejës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për 25-vjeçarin Flori Beqirajn., i cili dyshohet se sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikqi mbrëmjen e së martës në Pejë. Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, deklaroi  se sot pritet të mbahet seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë,

Alpinistja Mrika Nikqi publikoi pasditen e së premtes një video në rrjetin social Facebook ku tha se ishte viktimë e sulmit seksual nga një person me inicialet F.B., të martën në ora 20:50 në një nga rrugët kryesore të qytetit të Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, u shpreh se në lidhje me këtë çështje janë angazhuar dy prokurorët e shtetit të cilët kanë qenë në koordinim me Policinë e Kosovës deri në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Pasi është raportuar ky rast me datën 27 shtator, Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht dy prokurorët e shtetit kanë qenë të angazhuar në këtë çështje penale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante, ku fillimisht është bërë identifikimi i personave përmes kamerave të sigurisë publike dhe më pas është bërë arrestimi i tij dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Gjatë ditës së sotme është bërë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, që pritët të mbahet sot seanca e procedurës paraprake lidhur me shqyrtimin e kësaj kërkese në Gjykatën Themelore në Pejë”, tha ai.

Më tej, Nikçi tha se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me rastin dhe se prokurori ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari F.B. ka kryer veprën e sulmit seksual.

“Janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë që të zbulohen të gjitha rrethanat se si ka ndodhur ky rast që e ka shqetësuar gjithë publikun… Lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, prokurori i shtetit ka arsyetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale të sulmit seksual dhe ka shpjeguar arsyet të cilat duhet të qëndrojë i njëjti në masën e paraburgimit për tri veprat që mund të përsërit veprën penale, mund të ndikojë në dëshmitar por edhe mund të arratiset”, tha ai.

Për këtë sulm të shqetësuar janë shprehur edhe qytetarët e Pejës të cilët kërkojnë nga organet e drejtësisë siguri më të lartë.

Elsa Beqiri, qytetare e Pejës, është shprehur e shqetësuar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual të alpinistes Mrika Nikqi. Ajo tha se organet kompetente duhet të merren me seriozisht në lidhje me këtë çështje.

“Si vajzë e re, dhe si e njoh Mriken jemi krenare se çfarë ka bërë per vendin. Rastin e saj e kam përjetuar keq, sepse nuk jemi të sigurta të dalim lirë natën në qytetin ku jemi rritë, është tmerr… Për momentin asgjë s’është e sigurtë, shpresoj të bëjnë diçka në shumë për këtë rast dhe të jemi të sigurta kur dalim, shpresoj ky rast të mos i ndodh askujt tjetër”, tha ajo.

Mentore Doli, qytetare, ka kërkuar që drejtësia të vihet në vend për këtë rast ndërsa shprehu keqardhje që femrat nuk janë të sigurta në qytet.

“Shpresoj që organet e drejtësisë të bëjnë për këtë çështje që ta qesin drejtësinë në vend sepse nuk po bëhet mjaftueshëm, duhet me qenë më strikt. Shumë keq, më herët femrat kanë qenë më të lira, tash po vuajnë më keq”, tha ajo.

Mrika Nikqi, është alpiniste e re, e cila bashkë me të atin në vitin 2019 realizoi me sukses misionin e ngjitjes në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës. Ajo është vajza më e re në botë që ka ngjitur shtatë maja ende pa i mbushur 18 vjet.

Shpërndaje në: