Prokuroria kërkon dënimin e Murat Mehës dhe bashkëshortes së tij për deklarim të rrem të pasurisë

Periskopi.com Lajme

Prokuroria ka kërkuar dënimin e drejtoreshës së Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP),  në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Miradije Meha dhe ish-kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Murat Meha për deklarim të pasaktë të pasurisë ndërsa, mbrojtja lirimin e tyre.

Një deklarim të tillë, prokurori Besart Mustafa dhe mbrojtësi i të akuzuarës Miradije Meha, avokati Ibrahim Dobruna e kanë dhënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë dhënies së fjalës përfundimtare.

Ndryshe, në fillim të seancës është dhënë mbrojtja e të akuzuarit Meha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Meha, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Mustafa ka thënë se deklarimin e pasurisë e ka bërë duke vepruar sipas ligjit.

“Pikërisht sipas ligjit kam vepruar dhe kam deklaruar pasurinë në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit”, ka thënë i akuzuari Meha.

I njëjti ka shtuar se e ka deklaruar pronën kur ajo është regjistruar në dokumentacionin kadastral.

“Pasurinë e kam deklaruar kur ajo pronë është regjistruar në dokumentacionin kadastral sepse duke u bazuar në udhëzuesin e AKK-së në vitin 2015 është kërkuar shprehimisht që secila pasuri e paluajtshme duhet të deklarohet në formularët e deklarimit të AKK-së edhe ajo që është e regjistruar në kadastër edhe ajo që nuk është e regjistruar në kadastër”, ka deklaruar i akuzuari Meha.

I akuzuari Meha tha se kërkesa për regjistrimin e parcelës në sipërfaqe prej 450 mështë bërë në vitin 2013 mirëpo nuk i kujtohet data e saktë se kur është regjistruar në regjistrat kadastral e njëjta.

“Në vitin 2013 është bërë kërkesa për regjistrimin por jo që është regjistruar në regjistrat kadastral, data e saktë nuk më kujtohet kur është por mund të them se ne kemi vendos që ta deklarojmë në formularët e deklarimit të paluajtshme te AKK-së në momentin që ka hy në fuqi udhëzuesi për deklarimin e pasurisë”, ka deklaruar i akuzuari Meha.

Tutje, i njëjti shtoi se deklarimin e ka bërë konform ligjit dhe udhëzimeve të deriatëhershme.

“Deklarimin, siç e ceka edhe më parë, e kemi bërë konform ligjit dhe udhëzimeve të deri atëhershme, që do te thotë në vitin 2013 nuk është kërkuar që të deklarohet pasuria e paluajtshme e paregjistruar në kadastër dhe duke u mbështetur në formularin A14 është kërkuar që secili person ta deklaroj ndryshimin e pasurisë të fituar në vitin përkatës”, ka deklaruar i akuzuari Meha.

Tutje i akuzuari Meha ka deklaruar se nuk ka pasur informacion që prona e paluajtshme është regjistruar.

“Ne nuk kemi pasur informacion nga zyra kadatrale nëse prona është regjistruar që do të thotë se nuk kemi pasur konfirmim me goje apo me shkrim”, ka deklaruar i akuzuari Meha.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit të rastit Adnan Kamberi, ka deklaruar se vendimin për regjistrimin e pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 450 me ka pranuar më 2 shkurt 2016.

“Më 2 shkurt 2016 e ka pranuar vendimin për regjistrimin e pronës së paluajtshme në parcelën me sipërfaqe prej 450 m2”, ka thënë i akuzuari Meha.

I tutje tha se e akuzuara Miradije Meha ka shkuar të interesohet në zyrën kadastrale në Graçanicë për ta pranuar vendimin për regjistrimin e pronës.

“Më kujtohet fare mirë se Miraidja ka shkuar vetë te interesohet në zonën kadastrale Gracanicë për ta pranuar vendimin për regjistrimin e pronës prej 450 m2 në emrin e saj, domethënë, e ka pranuar 3 vite pas momentin të kërkesës për regjistrim”, ka deklaruar i akuzuari Murati.

Pas administrimit të provave, prokurori Mustafa, në fjalën e tij përfundimtare ndër të tjera ka thënë se arsyetimi i të akuzuarve Miradije dhe Murat Meha se nuk kanë qenë në dijeni nëse prona ka qenë e regjistruar apo jo, nuk qëndron pasi që të njëjtit kanë mundur që të kërkojnë sqarime gjatë periudhës 30 ditore të deklarimit të pasurisë.

“Arsyetimi i të pandehurve se nuk ka pasur një udhëzues të qartë dhe se nuk ka qenë në dijeni se prona nuk ka qenë e regjistruar nuk qëndron për arsye se ligji ka ekzistuar për deklarimin e pasurisë dhe se kanë mundur të kërkojnë sqarime gjatë periudhës 30 ditorë për çdo paqartësi në AKK”, ka deklaruar prokurori Mustafa.

Prokurori Mustafa deklaroi gjithashtu se mos informimi se është regjistruar prona apo jo nuk e përjashton përgjegjësinë penale të të akuzuarve.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpall fajtor dhe t’i dënoj sipas ligjit si dhe gjatë matjes së dënimit të merren për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

“I propozoj gjykatës që të pandehurit ti shpall fajtor ti dënoj sipas ligjit dhe që me rastin e matjes së dënimit të merr për bazë të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, ka deklaruar i prokurori Mustafa.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Miradije Meha, avokati Dobruna fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim pastaj të njëjtin e ka elaboruar duke kërkuar lirimin e mbrojtëses së tij nga akuza dhe duke thënë se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se e akuzuara Meha ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ndërsa, e akuzuara Meha, në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se ka qenë e vështirë që të kërkojnë sqarime nga AKK pasi që ka qenë e paqartë në institucion se kush ta deklarojë pasurinë e kush jo.

“Mbështes në tërësi fjalën e avokatit, sa i përket kërkimit të sqarimeve nga ne si zyrtar të lartë publik ka qenë e vështirësuar se ka qenë e paqartë në institucion se kush ta deklaron pasurinë e kush jo, vetëm me udhëzuesin praktik të 2015-ës është deklaruar”, ka thënë e akuzuara Meha.

Ndërsa, i akuzuari Murat Meha, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se nuk ka dashje apo qëllim për fshehje të pasurisë.

“Prandaj edhe njëherë me përgjegjësi ligjore e morale deklaroi se nuk ka dashje, s’ka qëllim për fshehje te pasurisë, nga vet fakti se kemi deklaruar saktësisht datat e kontratës, datën e deklarimit dhe datën e regjistrimit”, ka deklaruar i akuzuari Meha.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike do të bëhet më 18 maj.

Sipas aktakuzës së ngritur në maj të 2018-së nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Miradije dhe Murat Meha po akuzohen për mosraportim të saktë të pasurisë.

Prokuroria pretendon se nga 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, e pandehura Miradije Meha në cilësinë e zyrtares së lartë publike, drejtoreshë e Departamentit të Administratës dhe Përkrahjes (DAP) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), edhe pse ka qenë e detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, e njëjta nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formular lidhur me palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 në Zonën Kadastrale Llapllasellë, e cila është në emër të saj si dhe banesën e blerë në Tiranë në vitin 2012 në sipërfaqe prej 90.3 m2, në emër të bashkëshortit të saj Murat Meha.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Murat Meha akuzohet se nga 1 deri më 31 mars 2013 dhe 2014, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, i njëjti nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë dhe atë palujatshmërinë në sipërfaqe prej 450 m2 Zonën Kadastrale Llapllasellë, e regjistruar në emrin e bashkëshortes së tij Miradije Meha.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.