Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj menaxherit të prokurimit të Komunës së Vitisë

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurve F.A., F.R., R.Sh., Sh.K. dhe S.S., për keqpërdorime në një tender për asfaltim të rrugëve, në komunën e Vitisë.

Lajmi.net ka mësuar se F.A është menaxheri i prokurimit, Fadil Abazi, i cili ishte arrestuar ditë më parë bashkë më disa zyrtarë tjerë komunal.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.R. dhe F.A., në cilësinë e personave zyrtarë në komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur detyrat e tyre, ashtu që fillimisht i pandehuri F.R. – menaxher i projektit, ka ofruar dokumentacion të rremë se kinse janë kryer punimet në dy rrugë, njëra në fshatin Terpezë dhe tjera në fshatin Pozheran, duke u hedhur zhavorr përkitazi me tenderin ‘’Asfaltimi i Rrugëve Rurale për LOT I’’, ku pastaj i pandehuri F.A. – menaxher i prokurimit, gjatë dhënies së tenderit, ka bërë urdhërpagesë për shtrimin e rrugës me asfalt në fshatin Terpezë dhe ka paguar gjithsej 11.100,75 €, ku prapë për të njëjtën rrugë ka nënshkruar urdhërpagesë për shtrim me zhavorr  në vlerë prej 6,870,00 €, ndërsa, për asfaltimin e rrugës në fshatin Pozheran, i njëjti ka lëshuar urdhërpagesë në vlerë prej 18,890 €, ku pastaj për të njëjtën ka nënshkruar urdhërpagesë për shtrim me zhavorr, në vlerë prej 2.877.00 €.

Gjithashtu, në asfaltimin e rrugëve rurale për LOT I dhe LOT II, në komunën e Vitisë, i pandehuri F.R., ka eliminuar – larguar nëntë rrugë të cilat sipas kontratës kishin për tu asfaltuar dhe ka asfaltuar tri rrugë të reja në fshatin Skifteraj që nuk ishin kontraktuar dhe nuk i kishte asfaltuar një rrugë në Viti, një në fshatin Lubishtë dhe një në fshatin Begucë, ndërsa, i pandehuri F.A., gjatë ekzekutimit të kontratës ka nënshkruar urdhërblerjet edhe për ato rrugë që nuk kanë qenë pjesë e kontratës, duke e dëmtuar komunën e Vitisë me gjithsej 13,985.50 €.

Po ashtu, i pandehuri F.A, në kundërshtim me dispozitat ligjore ka shpallur njoftim për kontratë, me titull Rregullimi  i rrugëve rurale në komunën e Vitisë, kontrata kornizë, punë me çmime për njësi prej 840,000 €, edhe pse bazuar në dispozitat ligjore kontrata publike kornizë me çmime për njësi lejohet për punë – riparim mirëmbajtëje, por në asnjë mënyrë nuk lejohet për punë ndërtimore.

I pandehuri F.R., ka përpiluar raportet e asfaltimit të rrugëve rurale për LOT I dhe LOT II, në komunën e Vitisë se janë kryer konform paramasave dhe parallogarisë dhe në bazë të këtyre raporteve janë bërë pagesat ku është konstatuar se këto rrugë janë asfaltuar me mangësi edhe atë: një rrugë në Viti, një në fshatin Smirë dhe një në fshatin Ramnishtë, me ç’rast me përpilim të raporteve të mbikqyrjes së këtyre rrugëve për LOT I, ka dëmtuar buxhetin e komunës  së Vitisë, për vlerën prej 2,775.15 €.

Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të KPRK-së.

 Ndërsa, të pandehurit R.Sh., Sh.K. dhe S.S., në  cilësinë e personave zyrtarë, kanë nënshkruar dokumentacion përkitazi me kontrollimin dhe pranimin teknik se kinse janë kryer punimet në tender asfaltimi i rrugëve rurale për LOT I, dhe më pas e kanë nënshkruar dokumentacionin se kinse është hedhur zhavorr.

Gjithashtu, të njëjtit  gjatë pranimit teknik të rrugëve për LOT I, kanë dëmtuar buxhetin e komunës  së Vitisë, për vlerën prej 2,775.15 €, si dhe, kanë përpiluar dokumentacion të falsifikuar, duke plotësuar dokumentacionin për pranim teknik të rrugëve për LOT I dhe LOT II, ashtu që pa qenë prezent një person tjetër, e vendosin emrin e tij në dokumentacionin përkatës,  kinse ka qenë prezent gjatë pranimit teknik.

Në këtë mënyrë, të pandehurit R.Sh., Sh.K. dhe S.S. akuzohen për veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ dhe ‘’Rastet e posaqme të falsifikimit të dokumenteve’’, të KPRK-së.