Prokuroria nuk jep detaje për rastin e gazetarit Ahmeti: Jemi të rezervuar kur bëhet fjalë për çështje familjare

Prokuroria nuk jep detaje për rastin e gazetarit Ahmeti: Jemi të rezervuar kur bëhet fjalë për çështje familjare

Të dielën është vënë në pranga gazetari Arben Ahmeti nën dyshimet për “dhunë në familje”, me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në raportin e policisë, të publikuar në media thuhet se Ahmeti pas konfliktit verbal, në prezencë të fëmijëve, e ka shtyrë me duar gruan e tij pasi që e njëjta ka kërkuar të qëndrojë në shtëpinë e Arben Ahmetit në Laplesellë sepse këtë po ia kërkojnë fëmijët.

Policia në raportin e saj 24-orësh ka njoftuar se pas konfliktit gruaja ka pranuar trajtim mjekësor.

“Laplesellë 25.09.2022 – 18:15. I dyshuari mashkull kosovar është arrestuar pasi që i njëjti ka shkaktuar dhunë në familje  me ç’rast viktima femër kosovare ka pranuar tretman mjekësor. I  dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka treguar nëse ndaj Arben Ahmetit do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Një një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj tha për Express se janë të “të rezervuar në dhënien e informatave ku rastet trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun”.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se jemi të rezervuar në dhënien e informatave ku rastet trajtojnë çështje familjare dhe janë të mbyllura për publikun, për shkak të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit apo pjesëmarrësve tjerë në procedurë, konform nenit 294 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, tha Ulaj për Gazetën Express.

Për këtë rast ka folur për Sinjalin edhe avokati i Ahmetit, Besnik Berisha, ai e ka mohuar se bëhet fjalë për dhunë.

Sipas tij, bëhet fjalë për një mosmarrëveshje verbale çasti e pa asnjë kontakt fizik.

Shpërndaje në: