Prokuroria pushon hetimet ndaj arsimtarit: Fillon procedurë ndaj vajzës nga Drenasi për deklarata të rreme

Prokuroria pushon hetimet ndaj arsimtarit: Fillon procedurë ndaj vajzës nga Drenasi për deklarata të rreme

Prokuroria e Shtetit ka lëshuar komunikatë për media ku ka informuar opinionin lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, shkruan Periskopi.

Prokurori i çështjes ka dhënë detaje të rastit duke rrëfyer edhe për intervistimin e saj, ku ajo pas kallëzimit penal ndaj arsimtarit Sh.Xh. më pas i kishte tërhequr deklaratat.

Sipas Prokurorisë së Shtetit, nuk ka pasur rezultate konkrete pas ekzaminimit mjeko-ligjor si metodë për të vërtetuar keqpërdorimin seksual. E çuditshmja në këtë mes është se Prokuroria në asnjë rresht apo paragraf nuk e cilëson të rëndësishëm faktin se e dëmtuara A.G. ishte e mitur gjatë kohës sa kishte kryer marrëdhënie seksuale me mësimdhënësin e saj më të moshuar. Personat mbi 19 vjeçar që kryejnë marrëdhënie seksuale me të mitur, qoftë edhe me miratimin e tyre, bartin pasoja legale.

Madje, Prokuroria duke marrë për bazë dy deklaratat kontradiktore dhe ekzaminimin mjekoligjor të përmendur përveç e ka shfajësuar në tërësi Sh.Xh., po ashtu ka iniciuar procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës për lajmërim apo kallëzim të rremë. /Periskopi

Kjo është komunikata e plotë:

Prishtinë, 12 shkurt 2019 – Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin se lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, A. G., ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse, prokurori i çështjes ka marrë aktvendim per fillimin e hetimeve më 10.01.2018.

Prokurori i çështjes, me rastin e intervistimit të dëmtuarës së mitur, A. G., më 11.01.2018, fillimisht e ka njoftuar të njëjtën me të drejtat e saj, konform nenit 62, 63, 217 dhe 218 të KPKP-së, në praninë e përfaqësuesit ligjor (babait), mbrojtësit të viktimave, avokatit sipas detyrës zyrtare, si dhe, avokatit me autorizimin e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh. Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thot të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtroj kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar.

Me qëllim të grumbullimit të provave gjatë fazës së zhvillimit të hetimeve, prokurori i rastit, në bazë të kërkesën së tij, ka pranuar nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, Ekzaminimin Gjinekologjik-Fizik për të dëmtuarën, të dt. 15.09.2017. Po ashtu, prokurori i çështjes, ka intervistuar edhe të dyshuarin, Sh.XH., më 11.01.2018, i cili në tërësi i ka mohuar pretendimet e deklaruara nga e dëmtuara, në deklaratën e parë të dhënë në Policinë e Kosovës.

Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, të evidentuar me PP/II nr. 5763/17, të dt. 19.01.2018, me arsyetimin se, për rastin në fjalë, meqenëse ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimin mjeko-ligjor, i cili nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, vjen në përfundim se në veprimet e të dyshuarit, Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, Keqpërdorim seksual, nga neni 235 të KPRK-së.

Meqenëse prokurori i rastit ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, prokurori i çështjes përpilon shënim zyrtar, më 19.01.2018, me të cilën kërkon që të inicohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, Lajmërimi apo kallëzimi i rremë, nga neni 390 par. 2 lidhur me par. 1, të KPRK-së, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal.

Kurse, për rastin e dytë që është duke u zhvilluar procedurë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilën çështje penale është e dëmtuar e njëjta, prokuroria do ta mbajë të informuara opinionin për ecurinë e rrjedhës së procedurës.

Shpërndaje në: