Prokuroria: Radojçiq mund të ketë hyrë në Kosovë, ta ketë bërë incizimi dhe të ketë dalë

Prokuroria: Radojçiq mund të ketë hyrë në Kosovë, ta ketë bërë incizimi dhe të ketë dalë

Policia e Kosovës duhet ta arrestojë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, nëse ai gjendet në territorin e Kosovës.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, teksa konfirmon se urdhërarresti ndaj Radoiçiqit lidhur me rastin “Brezovica” është ende në fuqi.

Radoiçiq i është drejtuar publikut përmes një video-mesazhi nga rrethina e Leposaviqit, që është një nga katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Në këtë video, ai tha se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”.

“Popullit tim në veri dhe të gjithë serbëve dua vetëm t’iu them, por edhe atyre të tjerëve, këtu jam, jam kthyer, dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo. Sepse nga këtu nuk ka kthim. Rroftë Serbia”, shtoi Radoiçiq.

Por, Maloku shpreh dyshime për kohën kur është realizuar kjo video.

“Autoritetet duhet ta arrestojnë atë. Ai normalisht ka mundur të vijë ta bëjë një postim dhe të dalë [nga territori i Kosovës] ose të ketë një incizim të mëhershëm dhe ta lëshojë dhe të krijojë ndonjë ndjenjë te serbët për qëllime politike. Unë as që e besoj që ka qenë [në Kosovë], por megjithatë u takon rrugëve të Qeverisë që t’i verifikojnë ato të dhëna”, thotë Maloku.

 

As Qeveria dhe as Policia e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me atë nëse kanë informacione se Radoiçiq gjendet në Kosovë dhe nëse janë duke ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje.

Autoritetet në Kosovë këtë vit kanë lëshuar një urdhërarrest për Radioiçiqin pasi dyshohet për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”, përkatësisht për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale”.

 

Në të njëjtin rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është arrestuar edhe zyrtari i Listës Serbe, njëherësh ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

Rasti “Brezovica” ka të bëjë me lëshimin e lejeve të kundërligjshme në kompleksin turistik në Brezovicë. Prokuroria ka thënë se disa prej të dyshuarve, përfshirë Nikoliqin, kanë marrë dhurata, villa dhe vetura, në këmbim të lejimit të ndërtimit në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë.

Më 6 janar, autoritetet kosovare njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Milan Radoiçiq kishte arritur që t’iu ikte zyrtarëve policorë kosovarë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut në veri të Kosovës. Policia atëbotë deklaroi se më 3 shkurt, Radoiçiqit i kishin kërkuar që të parkonte veturën, në mënyrë që të kryeheshin kontrollet policore, por ai ishte larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë. Lidhur me këtë ngjarje, tre zyrtarë policorë të Kosovës ishin suspenduar nga puna.

Maloku thotë se nuk beson që Radoiçiqi mund të hyjë në Kosovë përmes pikëkalimeve të rregullta kufitare, por vetëm përmes rrugëve ilegale.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, beson se Milan Radoiçiq u është drejtuar drejtpërdrejt institucioneve të Kosovës me një video-mesazh me qëllim që t’u bëjë të ditur se ai ende ka lidhje, përmes së cilave mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe të kontrollojë grupe kriminele në veri

“Ky është mesazhi i parë që ka dashur t’i dërgojë Kosovës, Serbisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Nga ana tjetër, ai është edhe ndër individët që janë në listën e zezë amerikane, të lidhur me aktivitete kriminale dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Pra, po tenton të thotë se institucionet e Kosovës nuk i kanë mbyllur të gjitha rrugët alternative në veri, ky është mesazh edhe për Policinë e Kosovës”, beson Miftaraj.

Ai thekson se Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit duhet të jenë më aktivë kur është fjala për veriun e Kosovës, gjegjësisht të garantojnë sigurinë e njerëzve që jetojnë në atë rajon dhe t’i arrestojnë ata që janë në kërkim.

“Jetojmë në një botë demokratike, nuk mund t’i mbyllim plotësisht kufijtë, gjithmonë do të ketë kufij ilegalë, por Kosova duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje asaj pjese të Kosovës, të krijojë lidhje më të mira dhe të ketë më shumë informacion për situatën”, thotë ai.

Nga ana tjetër, politologu Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut, i cili dikur ishte aktiv në sektorin civil në veri të Kosovës, e interpreton krejtësisht ndryshe mesazhin e Milan Radoiçiqit.

Sipas mendimit të tij, Radoiçiqi iu drejtua Beogradit zyrtar dhe Listës Serbe, sepse “ka disa indikacione se duan ta heqin qafe, gjegjësisht se ai pushon së qeni faktor politik”.

“Është e mundur që ai t’u drejtohet atyre që duan ta largojnë, dhe që donin të përfitonin nga kjo situatë kur ai kërkohet nga Prishtina dhe është nën sanksionet e SHBA-së, për ta margjinalizuar ndoshta politikisht”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka mbrojtur publikisht Milan Radoiçiqin në disa raste, kur autoritetet e Kosovës po e hetonin atë.

Gogiq dyshon se Radoiçiqi ka qëndruar në Kosovë, por beson se është kthyer në Serbi menjëherë pas incizimit të mesazhit.

“Po të donte të ishte në Kosovë, do t’u drejtohej njerëzve nga ura mbi Ibër apo te monumenti i Princit Llazar në Mitrovicën e Veriut”, thekson ai.

Ndërkaq, video-mesazhi i Radoiçiqit u publikua në kohën kur autoritetet nga Serbia po reagojnë ashpër ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket dokumenteve personale dhe për riregjistrimin e veturave me targat e qyteteve në Kosovë që lëshohen nga autoritetet e Serbisë, të cilat Kosova kërkon që të regjistrohen me RKS (Republika e Kosovës).

 

Këto targa që përdoren kryesisht në veri të Kosovës, Prishtina zyrtare i konsideron të paligjshme dhe ka toleruar përdorimin e tyre për vite me radhë, por vitin e kaluar vendosi që të ndalonte përdorimin e tyre.

Ndaj Milan Radoiçiqit më herët kishte pasur edhe një fletëarrest nën dyshimet se kishte qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, ai urdhërarrest ishte tërhequr pa shpjegim në mars të vitit 2021.

Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Që nga viti 2011, Radoiçiq është i njohur edhe për autoritetet gjyqësore në Serbi. Ndaj tij dhe Zvonko Veselinoviqit është ngritur aktakuzë për përvetësimin e 32 kamionëve të kompanisë Hypo Alpe Adria Leasing.

Aktakuza ishte ngritur nga Gjykata Speciale në Beograd dhe koha e ngritjes së aktakuzës përkoi me vendimin e Beogradit për të nisur dialogun me Prishtinën dhe me thirrjen drejtuar serbëve nga veriu i Kosovës për heqjen e barrikadave.

Radoiçiq dhe Veselinoviq u liruan nga akuzat në vitin 2016.

Më 2011, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e kishte emëruar Veselinoviqin si personin që kishte organizuar ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës atë vit dhe për shkaktim të trazirave në atë pjesë të shtetit.

Barrikadat ishin vendosur për herë të parë për të penguar Kosovën që të shtrinte pushtetin në veri.

 

Që atëherë, barrikadat janë bërë simbol i destabilitetit në veri të Kosovës.

Shpërndaje në: