Prokuroria: Slobodan Gavriq të dënohet si terrorist
Prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin sipas ligjit për Slobodan Gavriq, i akuzuar për përgatitje të veprave terroriste dhe bartjen e materialeve plasëse.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar dënim më të butë për Gavriqin, marrë parasysh rrethanat që e kishin shtyrë atë ta sillte eksplozivin në Kosovë.
Trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës, aktgjykimin do ta shpallë javën e ardhshme.
Slobodan Gavriq, në fundin e vitit 2014, u bë emër i njohur për publikun kosovar.
Në veturën e tij, u gjetën rreth 12 kg eksploziv për të cilin Ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, tha të kishte indikacione se planifikohej të shpërthente gjatë festave të fundvitit.



