Prokuroria Speciale bastis disa lokacione në Prishtinë e Fushë Kosovë

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton se me urdhër të kësaj prokurorie, është zhvilluar një operacion për bastisje në lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar dy persona me inicialet R.J dhe H.D.

Operacioni është zhvilluar nga Policia e Kosovës, respektivisht, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, me ç’rast kanë arrestuar të pandehurin R.J, për shkak të dyshimit se ka kryer  veprën penale “Fajde” nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së,  dhe veprën penale ‘’Shpëlarja e parave’’ nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 dhe 2 te Ligjit nr. 03/L-96 për Parandalimin e Pastrimit te Parave dhe Financimit te Terrorizmit.

Po ashtu, me urdhër të kësaj prokurorie nga Policia e Kosovës, është arrestuar edhe personi me inicialet H.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Fajde’’ nga neni nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Dy personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tremijenjëqindetridhjetë (3,130) euro, dy (2) telefona, si dhe dyzet (40) dollarë”, njofton tutje prokuroria.