Prokurorja e EULEX-it kërkon dënim maksimal për Gani Gecin

Prokurorja e EULEX-it kërkon dënim maksimal për Gani Gecin

 

Prokuroria kërkon që Geci të gjykohet për vrasje të rëndë e jo për vrasje.

Në ankesën e parashtruar në Gjykatën e Apelit, prokurorja e EULEX-it, Steluta Lili-Oprea, po kërkon që Gani Geci të gjykohet për vrasje të rëndë e jo për vrasje.

I akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit më 4 gusht 2014, Gani Geci në qershor të vitit të kaluar është dënuar me 4 vjet e gjysmë burg.

“Selam alejkum” ishte përshëndetja e takimit mes Gecit e Ruzhdi Shaqirit, e cila përfundoi me vrasjen e këtij të fundit në kafenenë “N’Qosh”, në Skenderaj.

Lidhur me këtë ngjarje, Geci ishte gjetur fajtor për veprën penale të vrasjes, dhe ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg.

Prokurorja e EULEX-it, Steluta Lili-Oprea, po konteston vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke thënë se vepra e Gecit do të duhej të cilësohej si vrasje e rëndë e jo vrasje.

“Prokuroria pohon se mënyra sipas së cilës janë vlerësuar provat dhe përfundimet e nxjerra mbi faktet dhe çështjet ligjore sa i përket rikualifikimit të akuzës nga vrasje e rëndë në vrasje, është joracionale, me të meta dhe e gabueshme”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Në ankesën e Prokurorisë kontestohet gjendja mendore e Ganit Gecit në momentin e kryerjes së veprës penale.

“Gjetja e gjykatës së nderuar siç përshkruhet në aktgjykim se ‘është dëshmuar se Gani Geci ishte në gjendje të rëndë të afektit mendor kur ai e ka vrarë Ruzhdi Shaqirin’ është e gabueshme, subjektive dhe kundërthënëse”, thuhet në ankesë.

Prokurorja Oprea më tej në ankesën e saj konteston arsyetimin e Gjykatës duke e cilësuar se nuk është në përputhje me të gjeturat e ekspertëve.

“Është dukshëm e gabueshme dhe përtej fuqive të gjykatës që të veprojë përtej çështjeve që janë në kompetencë të saj”, thuhet në ankesë.

Përveç ekspertizës, ankesa e Prokurorisë konteston edhe gjetjet e Gjykatës lidhur me dëshmitarët.

“Asnjë prej dëshmitarëve, Idriz Morina, Nehat Shaqiri, Visar Behrami dhe Halil Geci të cilët nuk ishin dëshmitarë okularë nuk mund të vërtetojnë për ekzistimin e ndonjë kërcënimi të pavarur të besueshëm dhe të verifikueshëm për jetën e të pandehurit. Andaj Gjykata e nderuar dukshëm është gabim kur deklaron se ‘është gjetur e dëshmuar se vetë Gani Geci ishte i bindur se ai për shumë vite ishte në një gjendje kërcënimi për jetën dhe se vetë Ruzhdi Shaqiri ishte i përfshirë si pjesë e kësaj”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Duke u bazuar në këto pretendime të parashtruara në ankesë, prokurorja Oprea kërkon që Gjykata e Apelit ta analizojë me vëmendje ankesën e prokurorisë dhe Gani Gecin ta dënojë sipas dispozitave të vrasjes së rëndë.

Ndryshe nga Prokuroria, avokati i Gecit, Ndrec Doda kundërshton gjetjet e Gjykatës dhe pretendimet e Prokurorisë.

Doda përmes telefonit për KALLXO.com tha se mbrojtja nga fillimi ka qenë e bindur se vepra duhej të kualifikohej si mbrojtje e nevojshme e në asnjë mënyrë si vrasje.

“Ne prej fillimi kemi kërkuar që vepra të ricilësohet por në mbrojtje të nevojshme. Për mendimin e mbrojtjes Gjykata do të duhej që të mbrojturin ta lirojë në mbrojtje të nevojshme fiktive kur mendon se po sulmohet dhe reagon”, tha Doda.

Gjykata e Apelit ende nuk ka thirrur seancë për t’i shqyrtuar ankesat e Prokurorisë dhe avokatit.

 

Shpërndaje në: