Propozimi për kufirin e çmimit të gazit në BE, shtetet dalin kundër

Propozimi për kufirin e çmimit të gazit në BE, shtetet dalin kundër

Ministrat e energjisë të BE-së kritikuan propozimin e fundit të Komisionit Evropian për të vendosur kufi për çmimet e gazit si të papërshtatshëm përpara një takimi në Bruksel, shkruan Euronews.

Mosmarrëveshjet e tyre mbi kufirin e propozuar, i cili është i lartë në axhendën e ministrave të energjisë, mund të vonojë miratimin e dy paketave të veçanta të masave emergjente për të trajtuar krizën energjetike.

“Është absolutisht e pazbatueshme, joefikase dhe jashtë fushëveprimit,” tha të enjten në mëngjes Teresa Ribera, ministrja spanjolle për tranzicionin ekologjik.

Homologia e saj malteze, Miriam Dalli, tha se ishte “i papërshtatshëm për qëllimin” dhe “definitivisht jo dinamik në natyrë”.

Ndërkohë, Holanda, një vend që kundërshton me vendosmëri çdo ndërhyrje në çmim, tha se instrumenti ishte “me të meta” dhe potencialisht “i dëmshëm” për sigurinë e furnizimit dhe stabilitetin financiar të BE-së.

“Duhet bërë më shumë detyra shtëpie”, tha ministri holandez i Energjisë, Rob Jetten.

Republika Çeke, e cila mban presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së, synoi të zhvillojë një diskutim rreth kufirit të çmimit dhe të ecë përpara me dy rregullore të veçanta: një për blerjet e përbashkëta të gazit dhe një të dytë mbi rregullat më të shpejta të lejeve për teknologjitë e rinovueshme.

Luksemburgu, Austria, Finlanda, Danimarka, Irlanda, Estonia dhe Holanda e kundërshtuan këtë ide, thanë diplomatët për Euronews, por Republika Çeke dukej se pranoi kompromisin dhe thirri një takim të ri të jashtëzakonshëm në mes të dhjetorit.

Në thelb të mosmarrëveshjes është drafti i zbuluar vetëm dy ditë më parë nga Komisioni Evropian. Kufiri i propozuar do të aktivizohet automatikisht, por vetëm nëse plotësohen dy kushte kryesore: Nëse çmimet e TTF arrijnë ose tejkalojnë 275 € për megavat-orë për të paktën dy javë. Nëse çmimet e TTF janë 58 € më të larta se referenca e tregut të gazit natyror të lëngshëm (LNG) gjatë të paktën 10 ditësh tregtimi radhazi.

Shpërndaje në: