Protestë kundër Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, policia ndan dy grupet kundërshtare

Mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes së Platformës për Politikë Qytetare “AJDE” e përkrahur nga opozita maqedonase Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) në protestën lidhur me planin e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar vendimin me të cilin shtrohet mundësia që presidenti i shtetit të mund të falë të dënuarit për krime zgjedhore dhe vepra tjera të rënda kriminale.
Fillimisht protestuesit u tubuan para godinës qeveritare për të vazhduar më pas përballë Parlamentit, ndërsa gjatë tërë rrugës brohorisnin me slogane kudër Gjykatësve të Kushtetueses.
Sipas paralajmërimit, protestuesit ishte parashikuar që marshin e tyre protestues ta përfundonin para Gjykatës Kushtetuese dhe të vendosen tenda, ku do të qëndronin deri të mërkurën për kur është paralajmëruar seanca e Kushtetueses, mirëpo pak orë më herët, disa qytetarë uzurpuan hapësiren para Gjykatës Kushtetuese si një kundër-protestë për mbrojtje të Kushtetutës.
Që të mos ndodhë përplasja e dy grupeve, policia kishte vendosur barrikada. Nga këto arsye, fjalimi i Petrit Saraqinit nga Platforma për Politikë Qytetare “AJDE” u bë rreth 300 metra më larg nga gjykata. “Kërkojmë që menjëherë të ndalohet iniciativa e cila u mundëson kriminelëve zgjedhorë, pedofilëve dhe narko dilerëve të falen për veprat e tyre dhe kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të pesë gjykatësve të cilët uzurpojnë Gjykatën Kushtetuese dhe veprojnë në bazë të diktatit politik të pushtetit” tha Saraqini.
Të mërkurën Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë do të votojë për nismën e parashtruar nga një avokat me të cilën parashihet shfuqizimi i vendimit dhe kthimin e kompetencave për presidentin e shtetit që ai të mund të lirojë të burgosurit për mashtrime zgjedhore dhe pedofili.