Protestohet për vrasjen e gruas nga Llausha, kërkohet shkarkimi i komandanti të Policisë e prokurores

Protestohet për vrasjen e gruas nga Llausha, kërkohet shkarkimi i komandanti të Policisë e prokurores

OJQ “Gratë Intelektuale të Drenicës” ka protestuar pas vrasjes së Lirije Qerimajt nga bashkëshorti në Llaushë.

Protesta ka nisur nga sheshi “Adem Jashari” në Skenderaj për të vazhduar para Gjykatës e më pas Stacionit të Policisë në këtë komunë, duke thirru “Boll më, edhe sa vrasje”, “Duam siguri”, “Qyteti është i joni, shtëpia është e jona”; “Ku me ua ankuar ne, deri kur vrasje”; “Qofte e fundit kjo vrasje; “Mos i vrisni nënat tona, mos i vrisni motrat, mos i vrisni nuset”.

Sevdije Hoxha, kryetare e Grave Intelektuale të Drenicës, aktiviste për të drejtat e grave, ka kërkuar drejtësi për vrasjen e Lirije Qerimajt.

“Kjo është një ndër rastet e fundit, dhe lus Zotin që mos të ketë raste tjera. Në emër të grave të Drenicës, kërkojmë që rasti të ekzekutohet në mënyrë më dinjitoze, dhe kërkojmë drejtësi për Lirie Qerimin”, ka thënë ajo.

Kurse Policia ka dhënë detaje në lidhje me rastin e vrasjes.

Në sqarimin e tyre bëhet e ditur se me 1 janar kanë pranuar një rast dhune në familje në këtë fshat dhe sipas tyre, i janë përgjigjur rastit.

Në sqarimin e tyre, thuhet se edhe përkundër deklarimeve të ankueses se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune tek e njëjta, njësitë policore kanë shoqëruar të gjitha palët në stacionin policor Skenderaj.

Policia tregon se i kishin ofruar viktimës që të shkojë në strehimore, por sipas tyre djali i saj kishte insistuar që ajo të qëndrojë në shtëpi, dhe kishte thënë se s’do t’i lejojë prindërit të kenë probleme mes vete.

Vrasja ka ndodhur para dy ditësh në fshatin Llaushë të Skenderajt, ku një grua 48 vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj me armë zjarri.

Shpërndaje në: