Protestojnë infermierët që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, MSh-ja nuk ua vazhdon kontratat

Protestojnë infermierët që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, MSh-ja nuk ua vazhdon kontratat

Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për shkak të pandemisë kanë protestuar para Klinikës Infektive.

Atyre nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave COVID.

Infermierja Arlinda Hadri, tha se nuk ka qenë e drejtë mosvazhdimi i kontratës pasi sipas saj, kanë qenë pranë pacientëve në ditët më të vështira.

“Nuk kemi marrë shtesa asnjëherë duke pasur parasysh se kjo ishte një situatë e vështirë dhe kurrë nuk ju kemi bërë presion, ne nuk kërkojmë asgjë përveç vazhdimit të kontratave ashtu siç patën nevojë për neve”.

“Na erdh një e-mail që nuk ka fonde për me ju vazhduar kontrata. 422 infermierë të rijnë janë punësuar e si ka mundësi që për ata pat fonde e për neve jo, qysh munden me na siguruar që kanë me na punësuar. Nuk mu ka dok mënyra e drejtë e lajmërimit”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se me këto paga kanë ushqyer familjarët e tyre, duke shtuar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

Fitim Havolli, nga Sindikata e Infermierëve tha se ka dalë në përkrahje të këtyre infermierëve pasi sipas tij, është e padrejtë ajo që po u bëhet këtyre punëtorëve shëndetësorë.

“Këta kanë qenë një ndihmë e madhe për të gjithë klinikat sidomos me gjendjen pandemike, këta në moshë shumë të re qëndruan afër dhe na ndihmuan”, tha Havolli.

Në këtë protestë u.d i drejtorit të Klinikës Infektive Arben Vishaj, shkurtimisht u tha infermierëve që të mos bien pre e interesave personale, por që të mbrojnë drejtat e tyre, pasi sipas tij, puna e tyre ka qenë e shenjtë dhe shumë me vlerë.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj.

Shpërndaje në: