Protestuesit në Kazakistan demantojnë qeverinë: Jemi të zemëruar, jo terroristë

Protestuesit në Kazakistan demantojnë qeverinë: Jemi të zemëruar, jo terroristë

Dhjetëra protestues e pjesëtarë të forcave të sigurisë raportohet të jenë vrarë gjatë protestave të përgjakshme në Kazakistan. Presidenti i këtij vendi ka thënë se autoritetet do të luftojnë deri në fund kundër atyre që i ka quajtur banditë terroristë. Me këtë përshkrim nuk po pajtohet studenti Ainar Omarov.

Ai tregon se si ndryshoi rrjedha e protestave gjatë javës. Ai thotë se fillimisht, protestat nisën kundër rritjes së papritur të çmimit të karburanteve, por më pas dolën kërkesat për më shumë të drejta politike dhe për t’i dhënë fund korrupsionit, shkruan Independent.

Omarov thotë se përleshja mes protestuesve e forcave të rendit u bë më e dhunshme të mërkurën në mbrëmje në qytetin Almaty. “Policët ishin të rreptë dhe shumë protestuesve iu duk se duhet të kundërpërgjigjen. Shumë ndërtesa qeveritare u sulmuan, por këta ishin thjesht njerëz të zemëruar, jo terroristë apo diçka si ata”, tha studenti kazak.

Safiya, aktiviste 23-vjeçare, e cila nuk dëshiroi që t’i publikohej mbiemri, gjithashtu pretendoi se qeveria po përpiqet që t’i portretizojë protestuesit si kryengritës.

“Këto janë rrëfime të rreme për ta arsyetuar veprimin e ashpër nga forcat e sigurisë. Ata po thonë se armët janë shkrepur nga protestuesit. Kjo nuk është e vërtetë – nëse njerëzit kanë shtënë me armë, atëherë ata e kanë agjendën e vet, nuk ka të bëjë asgjë me protestat”, tha Safiya.

Shpërndaje në: