Protestuesit serbë duartrokitën teksa avionët ushtarakë iu afruan kufirit të Kosovës

Periskopi.com Lajme

Avionë të ushtrisë serbe u panë mëngjesin e të dielës pranë pikëkalimit kufitar të Jarinjës. Qytetarët serbë, që ishin mbledhur pranë pikës kufitare, duartrokitën këtë shfaqje të forcës.

Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës vazhdojnë të qëndrojnë atje.

Qytetarët serbë janë parë duke duartrokitur derisa dy avionë ushtarakë u panë sot pranë pikëkalimit kufitar në Jarinjë, raporton rel.

Megjithatë, pas incidenteve të raportuar në Zubin Potok dhe Zveçan, situata në veri sot raportohet të jetë e qetë.

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, duke “tërhequr menjëherë njësitë speciale dhe duke hequr bllokadat rrugore”.

Borrell, përmes një deklarate, ka thënë se çdo provokim i mëtejmë apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, do të jenë të papranueshme.

“Si liderët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë e komuniteteve lokale. Këtë qëndrim ia kam bërë të ditur edhe presidentit (serb, Aleksandar) Vuçiq dhe kryeministrit (të Kosovës, Albin) Kurti gjatë bisedave të zhvilluara kësaj jave”, tha ai.

Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që çështjet e hapura, përfshirë atë lidhur me lirinë e lëvizjes t’i zgjidhin përmes dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë të shtunën se vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Reagimi i Borrellit vjen vetëm një ditë pasi Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, NATO, Jens Stoltenberg tha se ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të ulin tensionet në veri të Kosovës.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, ka shkruar në Twitter, Stoltenberg.

Komuniteti ndërkombëtar ka thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Austrisë ka dënuar incidentet që kanë ndodhur në veri të Kosovës më 25 shtator dhe ka bërë thirrje që palët të zgjidhin problemet përmes dialogut dhe jo dhunës.

“Dënojmë fuqishëm incidentet e natës së kaluar në Kosovë. Zgjidhja për çështjet e hapura qëndron te bisedimet, jo dhuna. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga hapat ndarës dhe nga frikësimi. Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra e vetme për një të ardhme paqësore dhe për integrimin në BE”, tha MPJ e Austrisë përmes një postimi në Twitter.

Shpërndaje në: