Pse Albin Kurti dhe Sali Berisha janë të njëjtë?

Alfred Peza Op-Ed

Titulli origjinal: Ndëshkimi i Albin Kurtit si ai i Sali Berishës më 1992

Ka një ngjashmëri të habitshme, mes asaj çfarë ndodhi në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë dhe asaj çfarë ka ndodhur, në zgjedhjet lokale të 26 korrikut 1992 në Shqipëri. Protagonistët janë dy aleatët e sotëm në Prishtinë dhe Tiranë: Albin Kurti dhe Sali Berisha. Vetëm pas kësaj mund të kuptohet më mirë, se çfarë i ka bërë sot dy bashkë, liderët që dikur ishin “armiq” për vdekje.

Megjithëse këto dy ngjarje elektorale në dy anët e “kufirit”, i ndajnë plot 29 vite, gjithçka duket e njëjtë:

Sali Berisha atëherë ishte në apogjeun e pushtetit, pasi PD e drejtuar prej tij kishte fituar vetëm 5 muaj para lokaleve, zgjedhjet e parlamentare të 22 marsit 1992 me mbi 60% të votave. Albin Kurti dukej sikur ishte në majën e fuqisë së tij politike, pasi 8 muaj më parë, kishte fituar zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, me pothuajse 50% të votave.

Sali Berisha kishte ardhur në pushtet pasi mundi PPSH, partinë e vjetër të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, duke nxjerrë nga skena politike gardën e vjetër të komunizmit. Albin Kurti erdhi në pushtet pasi mundi partitë kryesore në Kosovë, që drejtoheshin nga ish komandatët e UÇK, duke i nxjerrë nga skena dhe diktuar ardhjen e liderëve të rinj në krye të LDK dhe PDK.

Sali Berisha humbi në mënyrë shokuese në zgjedhjet lokale, duke u ngëshëlluar atëherë, vetëm me fitoren në disa nga qytetet kryesore të vendit. Albin Kurti humbi në vendoret e së dielës, duke mos fituar asnjë komunë në raundin e parë dhe duke u ngushëlluar, me avantazhin e votave që ka për balotazhin në Prishtinë a gjetkë. Sali Berisha brenda një kohe fare të shkurtër, nga zgjedhjet e përgjithëshme në ato lokale, humbi pothuajse gjysmën e votave të elektoratit duke marë vetëm 37.13% të tyre.

Albin Kurti gjithashtu brenda një kohe të shkurtër, nga “Shën Valentini” e deri në vjeshtën e dytë, humbi pothuajse gjysmën e 440 mijë votave që kishte marë sëbashku listën “Guxo” të Vjosa Osmanit. Vetëm një vit pas humbjes në zgjedhjet lokale të 1992, Sali Berisha arrestoi dhe burgosi politikisht liderin e opozitës së atëhershme Kryetarin e PS Fatos Nano, duke e izoluar në Bënçë të Tepelenës.

Vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të shkurtit 2021 në Kosovë, liderët e partive që sot janë në opozitë përballë qeverisjes qëndrore të “Vetëvendosjes”, janë arrestuar dhe ndodhen në Hagë.

Kush është shkaku që i ka bërë këto dy gara elektorale, në Shqipëri e Kosovë, të ngjajnë në gjithçka si dy pika uji me njëra tjetrën? A është thjeshtë rastësia? A është një përkim i pashpjegueshëm në kohë, brenda hapësirës shqiptare në Ballkan? A është një kërkim i sforcuar për hir të këtij shkrimi? Apo të gjitha këto kanë një pikë të përbashkët, duke na dëshmuar se historia në kushte të ngjashme, edhe mund të përsëritet?

Ka një pikë që i bën bashkë këto dy tablo pothuajse identike, të vendosura në dy korniza pothuajse identike, që sot janë të varura në të njëjtën gozhdë. Ajo është sjellja e njëjtë në qeverisje nga Sali Berisha dhe Albin Kurti. Mënyra e njëjtë e drejtimit të partive të tyre politike. Mënyra “binjake” e ushtrimit të pushtetit në raport me qytetarët. Lloji i “klonuar” i lidershipit, në raport me kundërshtarët politikë. Mentaliteti i njëjtë në përdorimin e çështjes shqiptare jashtë kufijve respektivë, për ambicjet dhe interesat e tyre personale.

Këta dy liderë i bën bashkë si të ishin vëllezër siamezë, në disfatën e njëjtë që pësuan në zgjedhjet lokale pas triumfit në pushtetin qëndror, mënyra e ushtrimit të pushtetit. Të dy kanë në ADN-në e lidershipit të tyre revanshin politik ndaj kundërshtarëve, patriotizmin fals, delirin e udhëheqësve popullore të lindur për të qenë baballarët e kombit, arrogancën, demagogjinë, gënjeshtrat dhe fyerjen e inteligjencës së shqiptarëve për tu hequr ndryshe nga sa janë në të vërtetë.

Të dy janë liderë që humbjet e tyre i shesin si fitoret më të mëdha, shenjë e sigurtë nisur nga historia e kësaj kulture të njohur në Ballkan, se edhe fundin politik do ta kenë të njëjtë. Sali Berisha është sot aleati i Albin Kurtit, për një arsye të thjeshtë, sepse konsiderojnë si armikun e tyre të përbashkët Edi Ramën. Një tjetër shenjë e qartë, se edhe bilancin përballë tij në fund, do ta kenë të njëjtë!