Pse ekonomisë së Kosovës i duhen më shumë investitorë si Yildirim Group, që bleu Ferronikelin

Pse ekonomisë së Kosovës i duhen më shumë investitorë si Yildirim Group, që bleu Ferronikelin

Për vite me radhë Kosova lëngon nga nevoja për investitorë të huaj, të cilët shihen si e vetmja shpresë për t’ia ndryshuar fizionominë ekonomisë së Kosovës, e cila ka një raport tejet të zhdrejtë mes importeve dhe eksporteve. Rritja e eksporteve të prodhimeve dhe shërbimeve vendore, mbeten një prej mundësive të vetme reale dhe më të sigurta për zhvillim ekonomik.

Nga viti 2021, gjërat duket se nisën të lëvizin nga e mbara, përkundër krizës së pandemisë dhe asaj energjetike që nisi të shfaqej në fillimvit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të publikuara në janar të vitit 2022, nga 31.1 milionë euro sa kanë qenë në janar të vitit 2021, në shtator, vlera e investimeve të huaja direkte kishte arritur në 67.1 milionë euro, duke u dyfishuar.

Në gjysmën e dytë të vitit 2022, në Kosovë vjen një investitor i madh. Konglomerati ndërkombëtar me bazë në Stamboll, Yildirim Group njoftoi më 7 qershor se ka blerë të gjitha aksionet e gjigantit metalurgjik në Kosovë “NewCo Ferronikeli”, kompani e cila nga viti 2018 ishte nën pronësinë e grupit investues nga Shqipëria, Balfin.

Investimi i Grupit Yildirim, është një prej investimeve më të mëdha të këtij viti, ndonëse detajet e marrëveshjes mes dy kompanive, që janë marrë vesh për tranzicion të qetë të pronësisë, nuk janë bërë publike ende.

“Grupi YILDIRIM, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj të Ferronikelit në Evropë.

Të gjitha aksionet e “NewCo Ferronikel”-it zotëroheshin nga Grupi BALFIN. Të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë për një tranzicion të qetë”, u tha në njoftimin e kompanisë.

Ndërkohë, kompania “NewCo Ferronikeli”, e vendosur në Drenas, është një prej eksportuesve, prodhuesve dhe punëdhënësve më të rëndësishëm për shtetin. Ndër vite ka përfaqësuar pjesën më të madhe të eksporteve të Kosovës, duke arritur 30% të eksporteve të gjithmbarshme të vendit. Duke punësuar rreth 900 punëtorë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe rreth 1,000 të tjerë në mënyrë indirekte, kompania është investimi më i madh privat në industrinë e rëndë në Kosovë. Gjithashtu, Ferronikeli është paguesi i dytë më i madh i rentës minerare pas KEK-ut dhe një prej aseteve kryesore të ekonomisë së Kosovës. Ferronikeli, si një prej kompanive më të suksesshme në metalurgjinë e rëndë, paraqet mundësinë e vetme për të aftësuar dhe punësuar kuadrot e drejtimeve të ndryshme të inxhinierisë në universitetet vendore, me të cilat ka marrëveshje bashkëpunimi, përfshirë Universitetin e Prishtinës (UP).

Megjithatë, kriza e pandemisë dhe ajo e çmimeve energjisë që erdhi në fundvitin e 2021-ës, ka goditur kompaninë si konsumues i lartë i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, duke e detyruar që për afro 7 muaj ta ndërpres prodhimin si pasojë pamundësisë që t’i përballojë kostos së gjashtëfishuar të energjisë elektrike. Kjo krizë kërkoi energji të madhe menaxhimi për t’i mbajtur punëtorët në marrëdhënie pune deri në ditë më të mira.

Yildirim Group vjen me synime të qarta për ta nisur një epokë të re për kompaninë kosovare, që u themelua në vitin 1984 si ndërmarrje shtetërore. Në komunikatën njoftuese u tha se objektiv ka që Ferronikelin ta shndërrojë në një prej kompanive më të suksesshme në Evropë.

Ndërkohë që pronarët e rinj nuk kanë shpalosur shumë detaje për planet, mundësitë janë që përmes investimeve, në fabrikë të nis angazhimi për aktivizimin e linjës së dytë të prodhimit. Lëshimi në punë i linjës së dytë të prodhimit, do të rezultonte me rritjen e numrit të punëtorëve. Kjo do të thoshte qindra e ndoshta mijëra vende pune tjerë mbi numrin aktual të të punësuarve në kompani.

Përveç punësimit, rritja e kapaciteteve prodhuese do t’i kontribuonte gjithashtu edhe prodhimit vendor dhe eksporteve, aq shumë të nevojshme për ekonominë e Kosovës. Pa dyshim që ndikimi i investitorit Yildirim në vetë kompaninë “NewCo Ferronikeli”, sikurse në ekonominë e gjithmbarshme të vendit, do të ndjehet pozitivisht. Mbetet të shihet nëse investitorë të tjerë, sikurse Yildirim Group, do të drejtohen nga Kosova gjatë muajve në vijim.

Shpërndaje në: