Pse FMN kundërshton tërheqjen e parave nga Trusti dhe lirimin e rrymës? Periskopi sqaron shkurt

Pse FMN kundërshton tërheqjen e parave nga Trusti dhe lirimin e rrymës? Periskopi sqaron shkurt

Ditëve të fundit, opozita kosovare është kapur në dy – le të quhen – kauza: Trusti dhe siç e quajnë – fitorja lidhur me tarifat e rrymës. Që të dyja këto, i kundërshton institucioni më i rëndësishëm financiar, Fondi Monetar Ndërkombëtar. Cilat janë arsyet?

 ***

Dje në Kosovë është protestuat pro tërheqjes së një shumë parash nga Trusti. Njëherit, kjo është kërkesë e opozitës kosovare, e cila kërkon Ligj që do t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e parave, përqindja e propozuar: 30.

Partia në pushtet, Vetëvendosje, e kundërshton ashpër këtë propozim. Por ka edhe mes njohësish të çështjeve ekonomike që kundërshtojnë një ide të tillë.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Gabriel Di Bella, ka përfunduar vizitën e stafit në Kosovë në periudhën 10-13 dhe 20 maj, ku u diskutua mbi zhvillimet, perspektivën dhe politikat e fundit ekonomike.

Në deklaratën e tij, Di Bella ka bërë të ditur se kundërshton tërheqjen e parave nga Trusti Pensional i Kursimeve, propozim ky i dhënë së fundi nga partitë opozitare në vend.

Ai ka folur edhe rreth tarifave të reja të energjisë në muajin shkurt, për çka ka thënë se ishin lëvizje të duhura të politikave.

“Stafi i FMN-së shprehi kundërshtimin e fortë për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve private pensionale (TKPK) meqë këto do të përbënin goditje të rëndë në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonin ndjeshëm vlerën reale të pensioneve të ardhshme”, tha Di Bella.

Sqarime të tjera nga Di Biella i FMN-së.

“Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit. Autoritetet janë përgjigjur shpejtë me subvencione për inpute bujqësore, bonuse në paga dhe rritje të përkohshme të pensioneve dhe transfertave sociale. Në të njëjtën kohë, autoritetet janë përmbajtur nga shkurtimet tatimore nga të cilat, në mënyrë joproporcionale, përfitojnë personat në gjendje më të mirë ekonomike dhe janë të kushtueshme dhe të vështira për t’u rivendosur. Rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin gjithashtu lëvizje të duhura të politikave. Anulimi i rritjes së tarifës do të çonte në deficit më të madh të llogarisë rrjedhëse dhe do të përbënte barrë serioze për buxhetin”, tha ai./Periskopi 

 

 

Shpërndaje në: