Pse jemi optimistë të mëdhenj?

Pse jemi optimistë të mëdhenj?

Optimizmin masiv në Kosovë gjithmonë e kanë mirëmbajtur tregimet e mëdha politike. Një tregim i madh politik quhet kështu për faktin se njerëzit besojnë se zgjidhja e problemeve individuale vjen si rezultat i menjëhershëm i ngjarjeve të mëdha politike.

Tri tregimet e mëdha

Në vitet 90, të shekullit të kaluar, tregimi i madh politik ishte ÇLIRIMI I KOSOVËS. Vuanim nën terrorin serb, por ishim optimistë. Me t’u çliruar Kosova, të gjitha hallet tjera do të marrin fund. Kështu besonim! Kosova u çlirua, por problemet e jetës së përditshme të qytetarëve nuk u kapërcyen. Atëherë u krijua një tregim tjetër i madh : TREGIMI I PAVARËSISË. Problemet që kishim arsyetoheshin më idenë se nuk ishim ende të pavarur dhe sapo të krijohej shteti i Kosovës, këto probleme do të merrnin fund. Por, prap nuk ndodhi kështu. Varfëria dhe dukuritë përcjellëse të saj vazhduan të jenë fakte kokëforta. Për pasojë u krijua një tregim tjetër i madh politik : LIBERALIZIMI I VIZAVE. Natyrisht edhe ky tregim do t’i zhgënjej ata që presin mrekulli prej tij, dhe, atëherë, dikush do të kujdeset për optimizmin e masave, duke sajuar një tregim tjetër të madh politik, mbase hyrjen e Kosovës në BE, anëtarësimin në NATO apo Zbritjen e Zotit në Tokë. Njerëzit do të vazhdojnë të jenë optimistë se ngjarja e madhe, që pritet të ndodhë nesër, do t’u japë fund të gjitha derteve të tyre. Ndërsa politikanët do të vazhdojnë të qeshin saherë të ndodhen para fokusit të kamerave. Të qeshin dhe të flasin për të ardhmën e ndritur. Njësoj siç flisnin homologët e tyre, këtu e 50 vite më parë. Natyrisht, edhe do të marrin pjesë në emisionet argëtuese për t’i rrëfyer publikut jetën e tyre të lumtur private, për shijet e tyre muzikore, për librat, titujt e të cilave i mësojnë përmendësh një orë para fillimit të emisionit.

Origjina

Origjina e kësaj kulture politike lidhet me mentalitetin revolucionar të së kaluarës komuniste. Ishin komunistët që e krijuan tregimin për revolucionin si një Ngjarje e Madhe e cila u jep zgjidhje përfundimtare të gjitha halleve të jetës njerëzore. Pastaj, kur e morën pushtetin, e shpallën përrallën se me të kaluar nga socializmi në komunizëm, të gjitha të këqijat do të zhduken, përnjëherë. Kjo përrallë, e shndërruar në doktrinë zyrtare, i bënte njerëzit të ndiheshin optimistë gjithë kohën, edhe kur duhej të prisnin në rresht për të marrë një litër qumësht në dyqanet e zbrazura të shtetit . Në vendet komuniste, optimizmi ishte bërë opium për masat, thotë Kundera në novelën e tij anti-staliniste Shakaja. Këtë vit bëhen 30 vite nga rënia e Murit të Berlinit. Një kohë e gjatë sigurisht, por ndryshimi i mentaliteteve gjithmonë është më i ngadalshëm se ndryshimi i strukturave institucionale, thotë Dahrendorf. Optimizmi ynë masiv e dëshmon këtë. Bashkë me tregimet e mëdha të politikës kosovare, që në kohërat e zhgënjimit zëvendësojnë njëra tjetrën.

Përfundim psikanalitik

Kur ideologjitë dëbohen nga vetëdija dhe fjalori publik, me gjasë, ato strehohën në pavetëdijën e njerëzve dhe prej andej vazhdojnë të ndikojnë në mendimet dhe sjelljen e tyre.

Ky shkrim është marrë nga llogaria personale e autorit në Facebook. 

Shpërndaje në: