Pse nuk janë përfshirë në ndihëm e Qeverisë edhe studentët serb në Kosovë?

Periskopi.com Lajme

Studenti Marko nga territori i Komunës së Graçanicës, afër Prishtinës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, nuk ka të drejtë të aplikojë për ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës.

Ai është absolvent në Fakultetin Juridik në Universitetin e Mitrovicës së Veriut. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ai thekson se edhe studentët serbë duhet të kenë të drejtë për të marrë ndihmën financiare, sepse janë qytetarë të Kosovës.

Sipas tij, vendimi i Qeverisë së Kosovës që vetëm studentët e fakulteteve të akredituara në Kosovë kanë të drejtë për këtë ndihmë, është “diskriminues”.

“Nëse flasim për njëfarë përfshirje të komunitetit serb në shoqërinë kosovare, kjo vetëm sa do t’i largojë të gjithë. Ne jemi ato forcat e reja dhe shtytëse që duhet të fillojmë procesin e pajtimit, ndërkaq veprimet e tilla të Qeverisë së Kosovës na kthejnë prapa”, thotë Marko, student.

“Thjesht, mendoj se ata e meritojnë atë (ndihmën), ata janë këtu në Kosovë, ata studiojnë në Kosovë dhe pastaj t’iu japësh 100 euro studentëve të një komuniteti, ndërkaq të tjerët t’i harrosh plotësisht, është një formë e dukshme diskriminimi. Për më shumë, nëse flasim për njëfarë përfshirje të komunitetit serb në shoqërinë kosovare, kjo vetëm sa do t’i largojë të gjithë. Ne jemi ato forcat e reja dhe shtytëse që duhet të fillojmë procesin e pajtimit, ndërkaq veprimet e tilla të Qeverisë së Kosovës na kthejnë prapa”, thotë Marko.

Mendimin e Markos e mbështetë Irena, studente në Fakultetin e Biologjisë në Mitrovicën e Veriut. Ajo thekson se ndihma financiare do të ishte e mirëseardhur për studentët në këtë kohë, por nuk habitet që Qeveria e Kosovës nuk ua ka mundësuar një gjë të tillë studentëve nga komuniteti serb.

“Më duhet të pranoj se veprimi i tillë i tyre ka qenë i pritshëm dhe ne nuk kemi shpresuar, gjë që është mirë”, konsideron Irena.

Pse nuk kanë të drejtë të gjithë për ndihmën e Qeverisë së Kosovës?

Studentët e komunitetit serb në Kosovë nuk kanë të drejtë të aplikojnë për ndihmë financiare nga Qeveria e Kosovës, sepse ata kryesisht studiojnë në fakultetet e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Më 7 maj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Qeverisë së Kosovës njoftoi se të gjithë studentët aktivë dhe të rregullt, që studiojnë në një prej fakulteteve publike apo private të akredituar në Kosovë, kanë të drejtë që përmes aplikimit të veçantë të paraqiten për ndihmë në shumën prej 100 euro.

Megjithatë, Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk është i akredituar në Kosovë dhe për autoritetet e saj ky universitet është institucion i paligjshëm ose paralel.

Në anën tjetër, Ministria e Financave e Kosovës ka mundësuar që për ndihmën nga Qeveria e Kosovës të aplikojnë studentët e huaj, gjegjësisht të gjithë ata që studiojnë në njërin nga fakultetet e Kosovës, por që nuk janë shtetas të Kosovës.

“Duke pasur parasysh se Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk është i akredituar nga institucionet e Kosovës, studentët e regjistruar (në atë Universitet) nuk i plotësojnë kushtet për këtë lloj ndihme”, thuhet në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria e Kosovës.

Ky universitet u zhvendos nga Prishtina në Mitrovicën e Veriut pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Fjala vjen, në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, të gjitha institucionet arsimore, duke përfshirë edhe ato parashkollore, funksionojnë sipas sistemit serb dhe nuk kanë asnjë kontakt me sistemin e Kosovës.

Vetëm studentët pa mbështetje

Përveç për studentët, Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 100 euro për punëtorët në sektorin privat dhe publik, si dhe për pensionistët, ndërkaq përfituesit e asistencës sociale kanë marrë dyfishin e kompensimit në para, për muajin prill.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke paraqitur masat e ndihmës nga ana e Qeverisë së tij, në fund të prillit, tha se “të gjithë qytetarët do të përfitojnë”.

Pothuajse të gjithë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë që përmbushin kushtet, marrin pensionet serbe dhe kosovare. Po ashtu, ka nga ata që e shfrytëzojnë asistencën sociale të paguar nga Kosova, por edhe ndihmën për të cilën Serbia ndan para.

Megjithatë, për këto kategori nuk ka pasur asnjë pengesë që për të marrë ndihmën prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës, ndonëse sistemi i Kosovës dhe ai i Serbisë “nuk njihen”, gjegjësisht asnjëra palë nuk ka njohuri nëse dikush tashmë merr pension apo ndihmë sociale në sistemin tjetër.

Gjithashtu, shumica e zyrtarëve të Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve të Kosovës, kanë pozita të dyfishta, në sistemin kosovar dhe atë serb.

Në anën tjetër, studentët Marko dhe Irena theksojnë se bashkëkombësit e tyre nuk kanë mundësi të studiojnë sipas sistemit të Kosovës dhe nuk shohin asgjë kontestuese në faktin se të gjithë regjistrohen në fakultetet në Mitrovicën e Veriut.

A mund të studiojnë serbët sipas sistemit të Kosovës?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, komunitetet pakicë kanë të drejtën e arsimimit në njërën nga gjuhët zyrtare, në të gjitha nivelet.

Në Kosovë, gjuhët zyrtare janë shqipja dhe serbishtja, por sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, gjuha turke, gjuha boshnjake dhe gjuha rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në komunat ku përbëjnë së paku pesë për qind të popullsisë së përgjithshme.Zëvendësministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Dukagjin Pupovci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, nuk saktëson nëse sistemi i Kosovës ua mundëson pjesëtarëve të komunitetit serb që t’i ndjekin ligjëratat në gjuhën e tyre amtare, por tha se ka disa programe studimore në gjuhën boshnjake, në fakultetet publike në Prizren dhe Pejë.

“Po ashtu, në Universitetin e Prishtinës ekziston drejtimi i Ballkanistikës, ku ligjëratat mbahen në gjuhën shqipe dhe serbe. Ka edhe institucione private të arsimit të lartë që organizojnë ligjërata në gjuhën boshnjake”, thotë Pupovci.

Ballkanistika është program studimor katërvjeçar, i cili është hapur në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës që nga ky vit akademik, me qëllim, ndër të tjera, promovimin e komunikimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë, gjithashtu, se gjuha serbe mësohet për herë të parë në Universitetin e Prishtinës që nga viti 1999, në mësimdhënien që funksionon sipas sistemit arsimor të Kosovës.

Pupovci thekson se Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon nën sistemin serb, nuk dëshiron të integrohet në sistemin e Kosovës.

Në gusht të vitit të kaluar, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vendosi gurin themeltar për ndërtimin e Universitetit të ri në Mitrovicën e Veriut. Është planifikuar që objekti të shtrihet në 10.575 metra katrorë dhe në të do të vendosen Fakulteti i Shkencave Natyrore-Matematikore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe ndërtesa e Rektoratit.

Diplomat joqeveritare dhe të shkollës së mesme

Në Kosovë nuk ka shkollë fillore apo të mesme në gjuhën serbe, e cila funksionon sipas sistemit të Kosovës, ndërkaq institucionet e Kosovës nuk i njohin diplomat e gjimnazit të marra në institucionet arsimore “paralele”, pra ato të lëshuara nga Serbia.

Megjithatë, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, thekson se në Kosovë njihen vetëm kualifikimet e fituara në territorin e Republikës së Serbisë.

“Për momentin nuk ka ndonjë marrëveshje për njohjen e kualifikimeve dhe diplomave të marra në institucionet parauniversitare që veprojnë në mjediset e banuara me serbë në Kosovë dhe jashtë sistemit arsimor të Republikës së Kosovës”, sqaron Pupovci.

Çfarë është ‘çelësi’ i integrimit të sistemit arsimor serb?

Në kuadër të iniciativës “Open”, e cila përbëhet nga organizatat joqeveritare me ndikim dhe nga mediat serbe, në prill të këtij viti është publikuar një studim për problemet kryesore të serbëve të Kosovës i quajtur “Çelësi” (Kljuç), i cili ndër të tjera vë në dukje problemet në arsim.

Studimi konstaton se sistemi arsimor mund të integrohet në Kosovë vetëm përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin është arritur marrëveshja në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Do të lehtësohej edhe procesi i njohjes së ndërsjellë të certifikatave dhe diplomave, do të ishte më e lehtë ardhja e mjeteve mësimore dhe teksteve shkollore nga Beogradi, ndërkaq Prishtina do të kishte qasje në plan-programet mësimore”, thuhet në studim.

Isak Vorguçiq, drejtor i Radiotelevizionit KIM nga Çagllavica, afër Prishtinës dhe autor i këtij studimi, ka konstatuar se investimet e dy qeverive, Kosovës dhe Serbisë, do të rregulloheshin përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjegjësisht se do të kishte shumë më pak hapësirë për manipulim.

“Financat që Beogradi vazhdon t’u dërgojë institucioneve serbe në Kosovë, por edhe që Prishtina i ndan për arsim dhe shëndetësi, në radhë të parë përmes bonove, do të kalonin përmes një organizate ombrellë (Asociacioni i komunave me shumicë serbe), që në thelb do të ishte e Kosovës”, vlerësoi Vorguçiq.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilin është arritur në vitin 2013 si pjesë e dialogut të Brukselit, është një pengesë afatgjate në dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.

Dy vjet pas marrëveshjeve të nënshkruara (më 2015), u arrit pajtimi për parimet për themelimin e Asociacionit, për të cilat Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të po atij viti, konstatoi se nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës.

Në bazë të atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, është kontestuese se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë.

Autoritetet e Kosovës refuzojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke shpjeguar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është i dëmshëm, ndërsa pala serbe këmbëngul në zbatimin e marrëveshjes dhe kërkon që çështja të ngrihet sërish në kuadër të dialogut.