Pse Osmani e Kurti s’e përmendën fare se Blinken ua kërkoi nisjen e diskutimit për Asociacionin

Pse Osmani e Kurti s’e përmendën fare se Blinken ua kërkoi nisjen e diskutimit për Asociacionin

Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti pas shumë kohësh arritën që para 1 jave të takohen me  një zyrtar të lartë amerikan, siç ishte Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Ky i fundit u përfolë t’u ketë transmetuar mesazhe të qarta krerëve të shtetit tonë. Para një adresimi publik të tyre, aludohej se çka e tek ishte diskutuar në atë tavolinë të rëndësishme. Presidente Osmani pastaj konfirmoi se Blinken ua kishte përmendur temën e Manastirit të Deçanit, por që të dy s’thanë gjë nëse folë ishte edhe për Asociacionin. Sot, doli Gabriel Escobar që qiti në shesh këtë temë aq të ndjeshme, të ngritur nga Blinken, që Kurti e Osmani s’deshën ta çelin fare…

Nënshkrimi i marrëveshjes  me MCC’në ishte shkaku i udhëtimit të Kurtit e Osmanit në Amerikë. Mirëpo që të dy atje u pritën në takim edhe nga Sekretari Blinken. Përderisa shprehnin kënaqësinë e madhe për këtë takim nga atje, Kurti e Osmani me t’u kthyer në Kosovë përmes një konference për media shpalosën temat që dëshiruan ata me publikun.

Të pyetur nga gazetarët, krerët konfirmuan se Blinken ua përmendi zbatimin e marrëveshjes së Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, por pa dhënë detaje tjera. Më tutje Osmani tregoi që në tavolinë me Blinkenin të jenë shtruar tema si: rritja e fuqizimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, ngritja e numrit të njohjeve në botë dhe anëtarësimi nëpër organizata ndërkombëtare, rritja e bashkëpunimit të ushtrisë kosovare me atë amerikane, pastaj reformat e brendshme e sundimi i Ligjit, dhe natyrisht dialogu me zhvillimet e fundit, pa harruar as situatën në Ukrainë e agresionin rus.

Përpos kësaj, ishte edhe kryeministër Kurti që ndërhyu e tha se 80 për qind e kohës së takimit me Blinken kishte të bënte për raportet bilaterale. Mirëpo, asnjëri e as tjetri s’përmendi gjë Asociacionin, për çka Gabriel Escobar konfirmoi sot se u shtrua si temë mes tyre.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u ka thënë se Osmani e Kurtit në takimin që kanë pasur në Departament të Shtetit se duhet të nisë diskutimi për Asociacionin.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.

Se në takimin e fundit në SHBA kishte pasë porosi të pashpalosura nga Kurti e Osmani, siç doli kjo me Asociacionin, përmes një interviste për Periskopin e tha edhe ish-kryenegociatori Skender Hyseni.

‘’Unë jam i sigurtë që ka plot mesazhe të qarta që nuk i kanë shpalosur. Unë nuk dua të spekuloj, nuk është në vetvete problem që nuk shpaloset çdo gjë, sepse duhet të ruhet një shkallë e diskrecionit diplomatik për hirë të suksesit e veprimeve në diplomaci mirëpo unë ju siguroj që asgjë më jetike dhe më të rëdësishme për SHBA’në sot, e për fat të mirë e njëjta urgjencë edhe për Kosovën, nuk ka se sa të mbyllet dialogu me Serbinë.’’, tha Hyseni.

Ndërkaq, lidhur me këtë temë,është njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi që për Periskopin  theksoi se duhet të nisë një koncepkt për Asociacionin nga Qeveria e Kosovës./PERISKOPI/

Shpërndaje në: