Pse politika është kaq e mërzitshme dhe toksike?

Pse politika është kaq e mërzitshme dhe toksike?

Shkruan: Burim Pacolli

Fjalë, informacione boshe të hedhura gjithandej, njerëz që sulmojnë njëri-tjetrin, linçime publike, përplasje banale, fyerje, akuza të thata… mund të vazhdojmë pa fund duke përshkruar atë që realisht përfaqëson politika si fenomen në Kosovë.

Thjesht ka të bëjë me gjithçka që një njeri i arsyeshëm nuk dëshiron të ketë të bëjë, shkruan mendimi kritik brenda Periskopit.

Sinqerisht, është e vështirë për një njeri të rëndomtë që shikon punën e vetë në kontinuitet dhe nuk përfshihet në gjëra të cekta e debate koti për atë se kush po e artikulon dhe shet më mirë mendimin e tij, të mbijetojë në një shoqëri që është e fiksuar pas gjërave kaq të kota si politika.

Mos të keqkuptohemi, mirëqenia jonë varet nga vendimet që marrim në votime dhe është shumë e rëndësishme të jemi të edukuar në aspektin e asaj se çka është mirë e çka është keq, çka ëshë e gabuar e çka është e drejtë, çka është ligjore e çka është e paligjshme…

Por a i kemi vërtetë këto përgjigje? Imagjinoni sa konfuze mund të jetë për një person që nuk është e as nuk dëshiron të jetë pjesë e vazhdueshme e zhvillimeve politike dhe debateve të përnatshme nëpër studio televizive me analistë, të bëjë zgjedhje për kë të votojë dhe cili subjekt politik realisht ka në program përmirësimin e jetës sociale, sepse fundja vetëm ajo ka rëndësi.

Në kontrast, bota e politikës është e mbushur me ‘re të zeza’ toksike, teksa askush nuk thotë dhe nuk pranon asgjë që nuk ka të bëjë me bindjet e tij personale.

E thjeshtë, ai që ka qenë gjithmonë kundër një subjekti politik, gjithmonë mbetet kundër, ama kundër në kuptimin e plotë të fjalës… nuk ka gjë në botë që mund të bëjë subjekti në fjalë për ta bindur atë të pranojë se ‘po, ky vendim apo ky veprim është i mirë dhe ua përmirëson jetën qytetarëve.’

Kundërshtimi është ‘blanko’, pavarësisht gjithçkaje dhe mbi gjithçka… posa të kesh zgjedhur një anë, aty je për tërë jetën dhe do ta investosh krejt qenien t’i prezantosh të mirat si të këqija.

E kuptoni, pikërisht për këtë nuk mund të merret seriozisht politika. Gjithçka ka të bëjë vetëm me qëndrime e interpretime, teksa njeriu e ka të vështirë të përcaktohet për kë të votojë, kush është i mirë e kush është i keq, kush punon e kush nuk punon, sepse punohet pa ndërprerë që të shkaktohet mjegull totale.

Një person që nuk dëshiron të përfshihet në politikë por e ushtron të drejtën e tij për të votuar, e gjen tejet të vështirë ta kuptojë nëse – ta zëmë – ai/ajo që e ka votuar është duke marrë vendime shumë të mira, apo shumë të këqija.

Natyrisht, veç atyre që janë të qarta e që logjika e shëndoshë mund t’i vlerësojë vetë, të tjerat që u takon ekspertëve politikë t’i përcaktojnë, janë krejt të paqarta.

Ka humbur arsyeja, është krijuar një përshtypje sikur askujt më nuk i intereson të jetë objektiv dhe ta lërë egon me një anë kur flet dhe investon me krejt qenien ta bind veten se gjërat e tilla si ‘ego’ janë tipare shumë të ulëta për t’i vënë në rend të parë, para ‘fotografisë së madhe’.

Politika është thjesht e ndytë. Njerëz që shajnë dhe akuzojnë njëri-tjetrin dhe degradojnë deri në pikën më të ulët, pastaj pas një kohe ndryshojnë qëndrime dhe i bashkohen të njëjtit subjekt politik të cilin e kishin sulmuar pa rreshtur me vite të tëra sikur asgjë nuk ka ndodhur… lëmsh total.

Nuk i intereson askujt të japë info por vetëm opinione, sikur ne jemi të detyruar të mendojmë si dikush tjetër ose nuk kemi të drejtë t’i kemi bindjet e mendimet tona…

Imagjinoni, 7.9 miliardë banorë ka bota, 7.9 miliardë mendime… sa injorantë duhet të jeni të mendoni se mendimet kanë më shumë rëndësi se informacioni.

Opinione në secilën anë, informacion askund. Televizionet e mediet në përgjithësi janë aq të fiksuara pas mendimeve të njerëzve, saqë krijojnë platforma jashtëzakonisht të kushtueshme për t’i vënë në pah.

Sinqerisht, duket sikur të gjithë jemi futur në një pellg injorance dhe kemi filluar ta bindim veten se kjo është mënyra e duhur, kur të gjithë thellë brenda nesh e kuptojmë se kjo është thjesht totalisht e kotë dhe pa kurrfarë peshe e rëndësie.

Është koha të mendojmë për veten, politikanët dhe politika nuk na paguajnë faturat – veç atyre që janë të përfshirë në marrëdhënie pune në këtë lëmi, kuptohet – dhe të fokusohemi në përmirësimin e vlerave tona qytetare dhe sociale dhe mos të biem në kurth të atyre që duan ta mbajnë situatën në kaos. Ata duan që ne të sillemi kështu, duan që ne të ndjellim urrejtje për njëri-tjetrin dhe të linçojmë njerëzit e organizatat varësisht bindjeve të tyre politike. Ata jetojnë që ne të ofendojmë e shajmë nga kolltuqet tona të shtëpisë një analist, ekspert politike apo politikan dhe të lirojmë tërë urrejtjen e mllefin tonë ditor mbi ta, sikur qëndrimi apo mendimi i tij/saj ka aq rëndësi.

Kur them ‘ata’, mendoj për tërë mekanizmin zinxhiror që fshihet prapa tërë kësaj gënjeshtreje të madhe por që na ka detyruar e imponuar ta marrim e të pranojmë si të vërtetë.

Mund të duket paksa dramatike ajo që u tha pak më lart, por realisht sa herë keni ndërruar mendim e qëndrim për shkak se keni dëgjuar vazhdimisht pa rreshtur të njëjtën gjë duke u thënë pa ndalur nga një grumbull njerëzish me impakt mediatik? /Periskopi.com/

Shpërndaje në: