Pse u ndërprit seanca konstituive – Kurti dëshiron edhe kryeministër edhe deputet? Opozita e quan jokushtetuese

Seanca konstituive e Kuvendit është ndërprerë qysh në pikën e parë të rendit të ditës, e që ishte raporti për verifikimin e mandateve. Vetëm 52 deputetë votuan PËR këtë Raport, të cilit i duhen gjithsej 61 vota.
Opozita ishte kundër këtij raporti, sic thonë ata, jo pse nuk përmban të dhënat e sakta nga KQZ-ja, por për shkak se akti i dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave iu është dorëzuar në minutat e fundit para votimit të këtij raporti, raporton Periskopi.
Nga partia më e madhe opozitare në vend, ka folur vetë kryetari Memli Krasniqi i cili thotë se mosdorëheqja e Kurtit është në kundërshtim me Kushtetutën.
‘‘Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta votojë një raport, i cili është në kundërshtim me kushtetutën. Nëse do të ndodhë ajo që është kërkuar qysh herët, pra dorëheqja nga pozicionet ekzekutive, atëherë mund të ndryshojë situata.’’, ka thënë ai mes tjerash.
“Nuk kish pas arsye as nevojë për me ardh deri këtu sikur ta respektonte kryeministri Kurti dhe ish ministrat e tij Kushtetutën e vendit. Na e dimë që kushtetutën se kanë respektuar as në këto katër vite se së paku 10-12 herë i kemi dërgu në Gjykatë Kushtetuese dhe i kemi fituar lëndët, por që ne s’mundemi që vet me votën tonë…”, deklaroi ai para mediave.
Nga LDK thonë se kjo letër do duhej të shpërndahej para certifikimit të rezultateve edhe para qytetarëve të Kosovës dhe jo në momentet e fundit të seancës konstituive.
“Edhe unë në emër të LDK-së, kam votuar kundër raportit, jo pse nuk përmban të dhënat e sakta nga KQZ-ja por sepse nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë, Për të siguruar siguri kushtetues , që nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë, na është paraqitur një letër e dërguar nga kryeministri, letër që do të duhej të shpërndahej në ditën e certifikimit, para certifikimit”, ka thënë Zemaj në një deklarim për media në hollin e Kuvendit.
“Në nuk besojmë që kryeministri aktual, që tash është në dorëheqje sipas kësaj letre, nuk do ta shkel Kushtetutën dhe nuk do të kthehet në Zyrën e Kryeministrit. Me dhënien e betimit do të përfundojnë të gjitha mandatet”, ka shtuar ai.
Për të njëjtat arsye, edhe GP i AAK’së ka votuar KUNDëR këtij raporti.
Teksa nga Lëvizja Vetëvendosje pas dështimit të kësaj seance, ka folur Faton Peci, i cili “e bëri ligjin vetë” rreth procedurës së doreheqjeve.
Peci thotë se edhe pas dorëheqjes “kthehem në zyre se mos më akuzojnë për tradhti kombëtare”
“Pavarësisht që kemi dhënë dorëheqje kthemë në zyre të ministrit për shkak se largimi do të mund të krijonte mundësinë e një hendeku të madh e nesër mund të thotë dikush se kemi bërë vepër penale deri në “tradhti kombëtare. Emri i ri do shpaloset në momentin kur krijohen rrethanat dhe hapësira për konstituimin e kuvendit”, shtoi ai.
Pa u miratuar ky raport, Kuvendi nuk mund të kalojë në pikat tjera, që janë betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetareve të Kuvendit.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka thënë se pas kësaj seance do t`i drejtohet presidentes Vjosa Osmani se si të veprohet më tutje./Periskopi