Pse vetëm Kosova duhet të formojë Asociacion të komunave të shumicës serbe?

Pse vetëm Kosova duhet të formojë Asociacion të komunave të shumicës serbe?

Shteti në të cilën bënte pjesë edhe  Kosova, ngrehina artificiala e quajtur RSFJ dhe shtetet e tjera të Gadishullit Ballkanik dhe të Evropës, lirisht mund të themi se janë më multietnike se që është Kosova. Me Asocacion të Komunave që udhëhiqen nga pakicat me pesë përqind. Nëse është dashur të formohen Asocacione, Rajone, Krahina e të federalizohej – kjo duhej të ndodhte në Maqedoni e Serbi, dhe jo në Kosovë.

Në Republikën e Kosovës janë dashur Këshilla Nacionale për gjashtë pakicat etnike në Kosovë, e jo Asociacion vetëm për serbët. Pse vetëm Republika e Kosovës duhet të bëhet me Asociacion të komunave me shumicë serbe – fundi i fundit janë gjashtë yje në flamur e stemë gjë që ka domethënien e minoriteteve të pranuara si zyrtare.

Vendimi i datës 23 dhjetor 2015 nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk është tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Në muajin që jemi është inicimi për themelimin e një komisioni dhe caktimi i afatit në hartimin e kornizës ligjore.

Asociacioni për të cilin aq shumë flitet, jo vetëm në opinion por edhe në instanca tona e deri në Bruksel – është i dëmshëm dhe paraqet një rast të rrallë në rregullimin e të drejtave për pakicat etnike. Nga e kaluara historike e hidhur në këtë pjesë të Evropës dhe nga reagimet e popullsisë dhe opinionit të gjerë e mbi të gjitha nga gjendja faktike e pakicës serbe me pesë përqind, nuk është dashur të formohet fare Asociacioni në fjalë, pasi në Ballkanin Perëndimor asnjë shtet nuk ka të formuar këso mekanizmi të bashkësive të Komunave që udhëhiqen nga pakicat.

Dihet mirëfilli që Kosova përbëhet edhe nga pakicat kushtetuese tjera, dhe do të ishte më funksionale për Kosovën nëse do të kishim për të gjitha komunitetet Këshilla Nacionale.

Parlamenti i Republikës së Serbisë, që nga viti 2009, ka miratuar një ligj mbi bazën e të cilit funksionojnë 21 Këshilla Kombëtare të pakicave, për realizimin e të drejtave specifike dhe për ruajtjen e atyre të drejtave. Një ndër Këshillat që tani funksionon është edhe ajo e pakicës shqiptare në Serbi, veçmas për Krahinën që përfshin Komunën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës. Kurse në Kosovë bëhet luftë politike dhe debat në parlamentin e Kosovës “pro et contra” lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pse nuk praktikohet Këshilli Nacional për të gjitha pakicat në Kosovë, e jo Asociacion vetëm të pakicës serbe?

Marrim shembullin e Maqedonisë, e cila nuk ka formuar Bashkësi/Asociacion të komunave shqiptare edhe pse në këtë Republikë gati gjysma e popullsisë dhe poashtu gati gjysma e komunave udhëhiqen nga shqiptarët.

Republika e Malit të Zi nuk ka të formuar Bashkësi të Komunave shqiptare edhe pse në këtë Republikë ish-Jugosllave ka një përqindje më të lartë të shqiptarëve se që ka serbë në Kosovë.

Kështu ndodh edhe me Republikën e Kroacisë. Vetëm Bosnja dhe Hercegovina është ndarë dhe ka mbetur jofunksionale shkaku i Republika Srpska-s, dhe në Konfederatën Boshnjako-kroate sipas marrëveshjes së arritur në Dejton në vitin 1995.

Serbia ka kërkuar për bashkëkombësit e vet Asociacionin kurse për rregullimin e tij të brendshëm edhe pse është shumë më multinacionale se askush, nuk ka një gjë të tillë.

Shpërndaje në: