Pse Vjosa Osmani cyt publikun të merret me Presidenten si person, e jo Presidencën si institucion?

Pse Vjosa Osmani cyt publikun të merret me Presidenten si person, e jo Presidencën si institucion?

(Shkruan: Dafina Demaku)

Fjalimi i përvitshëm i Presidentes së Kosovës, znj.Vjosa Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që përmban mbi 5 mijë fjalë, i ndjekur vetëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës prej partive opozitare, po e merr sot vëmendjen e opinionit publik në Kosovë. Është interesant fakti që fjalimi – tani po kanalizohet në vëmendjen ndaj Presidentes si person, e  jo ndaj Presidencës si institucion (debati rreth peshës trupore të Presidentes që po merr hov edhe në këta minuta teksa po shkruhet ky tekst).

Më poshtë, po marrim vetëm pesë fjali nga fjalimi, për t’i analizuar secilën – që përveç tjerash – gjetëm se nuk shkojnë me rolin e unitetit që ka Presidentja dhe kanë probleme serioze me logjikën e diskursit gjuhësor përballë realitetit.

1: “Jeni ju, të gjithë, qytetarë të dashur, që e bëni këtë vend më të mirë. Është taksisti që punon përtej orarit për të mbajtur familjen e tij.

Kjo fjali është problematike, për faktin se vendi nuk bëhet më i mirë, me njerëzit që punojnë jashtë orarit, e sidomos për të mbajtur familjen. Kjo fjali, do të mund të përdorej në ndonjë forum ku flitet për varfërinë ekstreme, nga ndonjë organizatë e shoqërisë civile. Në të kundërtën, Presidentja është duke folur për diçka që mund të jetë problematike edhe në aspektin ligjor: puna jashtë orarit. Pra, nuk shkon ‘vendi i mirë’ VS ‘taksisti që punon jashtë orarit për ta mbajtur familjen’.

 2.“Nuk kam ngurruar dhe nuk do të ngurroj asnjëherë që idealin e brezave…”

Diskursi që zhvillon presidentja me fjalë si “Nuk kam ngurruar dhe nuk do të ngurroj’ si dhe shprehje të tilla të mëhershme si ‘kurrën e kurrës’ – janë problematike për një Presidente që flet në vetën e parë dhe në të shumtën e rasteve, siç do të thoshte kryeministri Albin Kurti, prodhojnë vetëm një kakofoni (fjali të pakuptimta, edhe pse mund të jenë të mira ndonjëherë për veshin). Ne mund të rëndisim këtu disa fakte se kur në të vërtet – Presidentja ka ngurruar të flasë për çështje të rëndësishme për ‘brezat’, ose ka folur tepër vonë (Kodi Civil, një shembull).

 3.Kosova nuk ka politikë të jashtme”, po thonë ca zëra. Përfundimisht, Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur e më të koordinuar.

-Një figurë uniteti – nuk do ta përdortte togfjalëshin ‘po thonë ca zëra’. Sa për pjesën se Kosova s’ka pasur asnjëherë politikë të jashtme më aktive, kjo rrëzohet me disa fakte, përgatitur më herët nga Periskopi.

4.Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë!

 -Presidentja bën një zgjatim të fjalisë së famshme të Albin Kurti si opozitar dikur, ku flamurit të Kosovës, i referohej si produkt i tregtistë. “Këta tregtarë flamujsh…”  – deklaronte Kurti dikur për ta goditur Hashim Thaçin.

‘Flamuri i tregtuar’ i Republikës së Kosovës, sot qëndron në zyrën e Kurtit si Kryeministër. Presidentja, sot modifikoi këtë shprehje, për ta goditur sërish Thaçin dhe idenë e ‘ndryshimit të kufijve’.  (Dhe, meqë jemi këtu, do të ishte mirë që patentat e thënieve të njohura si ‘tregtarë flamujsh’ dhe modifikimi i tyre në raste të caktuara, t’iu atribuoheshin autorëve origjinal. Si për shembull, Ernest Koliqit).

5.Andaj, nuk do të zmbrapsem asnjëherë para akuzave sa të turpshme aq edhe qesharake që i dëgjojmë çdo ditë e të cilat dirigjohen nga interesat e ‘klaneve anti-Kosovë’. Nuk zmbrapsem as atëherë kur tentojnë të më ngjyrosin me epitete te çdollojshme që sulmojnë pamjen time apo integritetin tim…

Kjo është fjalia më problematike nga fjalimi i Presidentes, duke qenë që foltoren e Kuvendit të Kosovës, e shfrytëzon si një komunikatë për media, ose si reagim ndaj mediave. Natyrisht që interesimi i mediave për peshën e Presidentes, nuk është as i jashtëligjshëm as joetik. Interpretimi i Presidentes, duke etiketuar si armiq ata që u morën me këto informacione, njëherit cyti publikun kosovar, që dy orë pas fjalimit, askush të mos merrej me përmbajtjen e tij – në aspektin e asaj se çka ka punuar Presidenca për një vit, por solli debatin që e kemi dëgjuar me dhjetëra ditë: pesha trupore e Presidentes. Në vend të kësaj, sot do të duhej të dëgjonim peshën e punëve të Presidentes. Por, me këtë fjali, Presidentja është bashkëfajtore në çorientimin nga çështja kryesore: Çka ka punuar Presidenca, qe një vit?

Shpërndaje në: