PSG ofertë 50milionëshe për yllin e Milanit

PSG ofertë 50milionëshe për yllin e Milanit

Paris Saint-Germaini raportohet se po përgatitë një ofertë prej 50 milionë eurove për Gianluigi Donnarumman, nëse Milani dështon të kualifikohet për në Champions League.

Sipas “La Repubblica”, nëse “Rossonerët” përfundojnë jashtë top katërshes në Serie A, ata do të detyrohen të shesin asetin më të çmuar për të qëndruar në harmoni me rregullat e “Fair Playit” financiar, transmeton Periskopi.

Agjenti i portierit, Mino Raiola është dënuar së fundmi nga FIFA me pezullim në kompletimin e transferimeve, mirëpo duhet cekur se italiani ka marrëdhënie fantastike me të dy klubet.

Parisienët kanë pasur portierë italianë në përbërje në të kaluarën, me Gianluigi Buffonin dhe Salvatore Sirigun që kanë mbrojtur ngjyrat e klubit francez në vitet e fundit.

Ndërkohë, Manchester Unitedi gjithashtu raportohet se është e interesuar në shërbimet e 20-vjeçarit, të cilin “Djajtë e Kuq” e shohin si zëvendësues të David de Geas, i cili mund të shitet në mënyrë që të balancohen pagat për lojtarët, derisa United nuk merr pjesë në Champions League edicionin e ardhshëm. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: