Publicisti nga Malisheva: Vota për Ekrem Kastratin, është votë e humbur

Publicisti nga Malisheva: Vota për Ekrem Kastratin, është votë e humbur

Publicisti i njohur nga Malisheva,  Jusuf Bytyçi përmes një shkrimi thotë se izolimi i komunës së tij, nuk është zgjidhje.

“Në Malishevë gara është mes dy kandidatëve: Isni Kilaj nga PDK dhe Ekrem Kastrati nga Nisma. Këta të dy dallojnë edhe si kandidatë dhe si parti”, shkruan Bytyçi.

Shkrimi i plotë:

Izolimi i Malishevës nuk është zgjidhje

Jusuf Bytyçi

Zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës po afrohen. Kemi hyrë kështu në javën e fundit të fushatës elektorale për të ardhur deri te e diela e 17 tetorit, kur qytetarët gjithandej Kosovës do të përcaktohen për atë se kush do ta qeverisë përditshmërinë e tyre në komunat ku jetojnë. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme, meqë në to e përmes tyre ne vendosim për komunën tonë, për mundësitë që ajo duhet të na i krijojë dhe për hapësirën e mirëqenien që ajo duhet të na e ofrojë.

E këto varen shumë nga kandidati. Por jo vetëm nga ai. Edhe nga ekipi që ai e sjellë në qeverisjen lokale. Edhe nga përvoja e tij dhe njohuritë që i ka për komunën të cilën garon ta qeverisë.

Në Malishevë gara është mes dy kandidatëve: Isni Kilaj nga PDK dhe Ekrem Kastrati nga Nisma. Këta të dy dallojnë edhe si kandidatë dhe si parti.

Nuk po hy këtu në biografitë e kandidatëve në garë, meqë për to kemi dëgjuar e diskutuar shumë gjatë këtyre ditëve. Një tjetër gjë që është e rëndësishme në këto zgjedhje e që ndërlidhet më shumë me “familjen” politike të secilit kandidat, është e rëndësishme. Pra çfarë partish janë këto dy parti që garojnë në Malishevë. Dhe, për më tepër, çfarë potenciali kanë?

Siç dihet, Nisma tash e një kohë është parti me probleme të mëdha legjitimiteti politik. Për sa kohë që në zgjedhjet e vitit 2019 mezi janë futur në Kuvendin qendror, më 2021 nuk e kanë kaluar as pragun. Kështu legjitimiteti politik i Nismës në nivel vendi është në rënie e sipër. Dhe atë me një shpejtësi të madhe. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për garën lokale. Sepse pushteti lokal nuk është pushtet ishulli. E as krejt i shëputur nga ai qendror. Rrjedhimisht një parti që nuk ka fare qasje në forumet politike të nivelit qendror, e që nuk ka aspak legjitimitet nëpër pjesët tjera të Kosovës, e ka të vështirë të tregojë qeverisje të mirë dhe efikase për Malishevën. Dhe kjo shihet edhe në Malishevë. Disa prej figurave qendrore të Nismës janë në përkrahje të kandidaturës së Kilajt. Me të drejtë. Nëse ia don të mirën Malishevës, atëherë rreshtohesh racionalisht kah kandidati që i ka gjasat më të mëdha të qeverisë më mirë e të sjellë më shumë në Malishevë.

Përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës krijon hapësirë të madhe politike, jo vetëm për çështjet që munden të ngriten aty, por veçanërisht për ndarjet buxhetore që iu shkojnë komunave të Kosovës nga buxheti qendror. Nëse nuk ka bashkërendim mes kryetarit të Komunës me asnjë prej grupeve parlamentare në Kuvend, atëherë zëri i Malishevës zbehet përgjithësisht. Dhe komuna rrezikon harresën dhe izolimin.

Këtë përparësi duket ta ketë Kilaj. Grupi parlamentar i PDK-së është i dyti më i madhi në Kuvend. Ndërkohë që Kilaj ka pozitë të rëndësishme vendimmarrëse në Partinë Demokratike të Kosovës (për dallim prej Kastratit në Nisma). Që i bie se Kilaj në pozitën e kryetarit të Malishevës do ta kishte mbështetjen e plotë të PDK-së dhe veçanërisht të Grupit të tyre Parlamentar. Izolimi i Malishevës në një rast të tillë do të ishte i pamundur edhe po të ishte qëllim a tendencë e pushtetit qendror.

Një tjetër e metë politike e Nismës përherë e më shumë po bëhet jo stabiliteti i tyre organizativ. Në zgjedhjet e fundit bënë çmos të bëhen pjesë e PDK-së. Frika nga shuarja po i bën parti e cila përherë shkon në prag të shkrirjes. Ky jo stabilitet politik i partisë e bën qeverisjen lokale në Malishevë si qeverisje jo stabile. Të luhatshme, ndërkohë që kandidatin e Nismës kandidat të pasigurtë. E Malishevën komunë e cila i nënvendoset interesave e frikave partiake të Nismës. Malisheva nuk e ka për detyrë të kujdeset për mbijetesën e partive politike, cilado qoftë ajo!

Rrjedhimisht vota për Kastratin mund të konsiderohet si votë e humbur. Meqë destinimin partiak e politik nuk e ka të sigurtë, ndërsa jehonën në Kosovë shumë të kufizuar.

Shpërndaje në: