Publikohet dokumenti: Ministria e Financave bëri vlerësimin e pronave

Publikohet dokumenti: Ministria e Financave bëri vlerësimin e pronave

Është bërë publik dokumenti zyrtar lidhur me atë se e kujt është përgjegjësia e vlerësimit të pronave, që ka çuar në rritjen e tatimit në pronë.

Qytetarët e Kosovës janë alarmuar gjatë së martës për dyfishimin e çmimit të tatimit në pronë, derisa institucionet qendrore dhe lokale ua kanë hedhur fajin njëra-tjetrës lidhur me këtë çështje.

Por, sipas një vendimi të Ministrisë së Financave të siguruar nga Gazeta10, del se vlerësimi i pronave në Prishtinë është bërë nga ky dikaster e jo nga komuna e Prishtinës.

Në vendimin e protokolluar më 31 tetor të vitit të kaluar, i cili i është dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, specifikohet ndryshimi i vlerësimit të pronës.

Gjatë së martës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ky dikaster bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat. Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Në vazhdim, dokumenti i Ministrisë së Financave lidhur me vlerësimin e pronës.

Shpërndaje në: