Punëtorët e fabrikës tetovare s’janë helmuar nga ushqimi

Ushqimi në firmën “Lear” të Tetovës, ku 23 persona dje kanë paraqitur simptoma të lehta të helmimit, ishte distribuuar në mënyrë të përshtatshme, i ruajtur dhe i shërbyer, në paketim origjinal dhe me afat adekuat të përdorimit, ndërsa salla e ngrënies i plotëson kushtet e nevojshme higjienike, për çka nuk është shqiptuar masë për mbylljen e saj, kumtoi sot Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) e Maqedonisë.
Inspektorët e AUV-së në bashkëpunim me Inspektimin sanitar dje kanë bërë kontroll të jashtëzakonshëm në fabrikën nga Tetova.
“Me qëllim të konfirmimit të arsyeve për paraqitjen e helmimit, shërbimet inspektuese kanë marrë mostra për testim laboratorik nga ushqimi, i cili është shërbyer, nga sipërfaqet punuese në sallën e ngrënies, si dhe nga personi i punësuar i cili e ka shërbyer ushqimin, ku të cilit i është kryer edhe kontroll shtesë mjekësor”, informon AUV.
Agjencia do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe ta informojë opinionin për çdo risi lidhur me të.
Njëherit apelon në kushte të temperaturave të larta dhe rrezikut të madh nga prishja e ushqimit dhe paraqitjes së helmimit, qytetarët të kenë kujdes prej ku blejnë ushqim, ta furnizojnë nga operatorë të regjistruar ku ruhen kriteret e sigurimit dhe t’i japin llogari higjienës personale dhe higjienës gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit.
Çdo mospërputhje në lidhje me sigurinë e ushqimit, qytetarët mund ta paraqesin në Agjenci personalisht, në linjën falas telefonike për konsumatorët 0800 3 22 22 ose në adresën elektronike.