Punëtorët e Lotarisë së Kosovës protestojnë sot para Qeverisë

Periskopi.com Lajme

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës përmes një njoftimi kanë paralajmëruar se do të mbajnë protestë para Qeverisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, punëtorët e Lotarisë së Kosovës të ndodhur në një gjendje të rëndë ekonomike janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave.

“Përkundër premtimeve nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës se do të fillojnë përgatitjet për plotësim-ndryshimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe se një gjë e tillë do të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur si dhe të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur”, thuhet në komunikatë.

Ata kanë kërkuar që Qeveria e Republikës së Kosovës që seriozisht të merret me çështjet dhe problemet e punëtorëve.

Njoftimi i plotë:

Përkundër premtimeve nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës se do të fillojnë përgatitjet për plotësim-ndryshimin e ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe se një gjë e tillë do të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundur si dhe të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Gjithashtu nuk marrim asnjë përgjigje në kërkesat tona dhe as nuk na mundësohen takime nga ana e Qeverisë. Edhe pse Lotaria e Kosovës sh.a. është shoqëri aksionare ku aksionare e vetme e saj është Qeveria e Republikës së Kosovës, është pasardhës juridik i të gjitha të drejtave dhe pronës së Lotarisë së Kosovës të themeluar në vitin 1974, është anëtare e Asociacionit të Lotarive Shtetërore Evropiane (The European Lotteries) qysh nga viti 2002, nënshkruese e Standardeve Evropiane dhe e çertifikuar për Organizim me përgjegjësi shoqërore të lojërave të fatit nga viti 2017 dhe bashkëthemeluese e Asociacionit të Lotarive të Evropës Juglindore me seli në Lubljanë që nga viti 2007 ajo ende vazhdon të mbetet peng i vendimeve politike.

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës të ndodhur në një gjendje të rëndë ekonomike janë tejet të shqetësuar dhe të indinjuar me këtë neglizhencë të Institucioneve përkatëse për çka pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me anë të protestave.

Protesta do të mbahet nesër, e premte, datë 22 tetor 2021 në ora 11:00 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë të miratimit të ligjit për Lotarinë e Kosovës dhe përmbushjen e obligimeve nga ana e Qeverisë si pronare e Lotarisë së Kosovës. Punëtorët e Lotarisë së Kosovës do të vazhdojnë të protestojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës që seriozisht të merret me çështjet dhe problemet e punëtorëve tanë, qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët nuk kërkojnë asgjë më tepër veçse të drejtën e tyre themelore për të punuar.