Punëtorët e sigurimit dhe higjienës në QKUK paralajmërojnë protestë

Punëtorët e sigurimit dhe higjienës në QKUK paralajmërojnë protestë

Punëtorët e institucioneve shëndetësore të cilët kujdesen për pastrimin dhe sigurimin e tyre kanë paralajmëruar protestë për shkak të përjashtimit nga mbështetja financiare e aprovuar nga Qeveria për punëtorët shëndetësorë.

Sabri Ejupi, është punëtor i sigurimit në Qendrën Klinike Universitare në QKUK dhe asnjë pacient apo vizitor nuk mund të kalojë më tutje pa kontaktuar për së afërmi më të, andaj ai thotë se rreziku i bartjes së infeksioneve është i lartë. Por me vendimin e qeverisë Sabriu nuk përfshihet në pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë.

“Ne jemi të parët që përballemi me secilin pacient. Ata fillimisht vijnë te ne, e pastaj shkojnë te mjeku ose infermieri, ndërsa ne nuk u përfshim në pagesat shtesë. Arsyet nuk i dimë”, theksuar ai.

Në mbështetjen financiare për punëtorët shëndetësor nuk janë përfshirë as punëtoret e pastrimit, që shumë prej tyre punojnë në hapësirat ku trajtohen pacientët me Covid 19.

“Puna jonë kërkon shumë përkushtim se na jemi në kontakt të afërt me pacientët që janë me Covid, edhe nuk na kanë përfshi, edhe çdo herë është dashur me bo presion për me na përfshi në pagesë”, ka theksuar Drita Haziraj, punëtore e higjienës në QKUK.

Ata janë ankuar në Sindikatën e pavarur të sektorit privat, ku Jusuf Azemi këtë anashkalim e quan diskriminues.

“Në bazë të vendimit që e ka publikuar Qeveria e Kosovës ne duhet të paguhemi, por nuk kemi sinjale se do të paguhemi, andaj sot u mor një vendim që të premten do të paralizojmë çdo shërbim për një orë të gjitha spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare për t’i paralajmëruar zyrtarët kompetent se ne mund të falim shumëçka por jo shëndetin tonë”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat.

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK disa punëtore të pastrimit janë të prekura me Covid 19, spitalin rajonal të Gjilanit 12 të tjerë janë pozitiv. Zyra e informimit e Qeverisë nuk ka dhënë përgjigje se cila është arsyeja e mos përfshirjes në pagesën shtesë të punëtorëve të sigurimit dhe pastrimit.

Shpërndaje në: