Pushteti fryhet me efikasitet të punës së Kuvendit: Cila është e vërteta e gjithë këtyre Projektligjeve?

Pushteti fryhet me efikasitet të punës së Kuvendit: Cila është e vërteta e gjithë këtyre Projektligjeve?

Pushteti i Vetëvendosjes, që tash e 1 vit e gjysmë udhëheqin me Qeverinë dhe Parlamentin janë lavdëruar me efikasitetin, siç e quajnë ata të punës së Kuvendit të Kosovës përgjatë legjistlaturës së tetë. Ilir Kërçeli, këshilltar i kryetarit Glauk Konjufca ka shënuar se që nga marsi i vitit të kaluar e deri tash, janë proceduar 159 Projektligje në total. Por në fakt, veç një pjesë e tyre janë miratuar, madje gjysma dalin të jenë Plotësim-Ndryshime.

Pas fryerjes për numër të madh të dërgimit të Projektligjeve në duart e deputetëve, Periskopi ka hulumtuar pak faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ku rezulton se nga muaji prill i vitit 2021 e deri më 3 gusht 2022, janë miratuar fiks 82 Projektligje në total. Mirëpo, përmes këtij kërkimi, kemi hetuar se 42 prej tyre janë me Plotësim-Ndryshime. Që nënkupton se një Projektligj i caktuar nuk është punuar nga fillimi, por vetëm është plotësuar me paragrafë apo detaje, ose edhe mund të jetë inicuar viteve të kaluara.

Si të tilla, nga më të fundit për shembull janë tri Projektligjet për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, pastaj ai për Skema Pensionale, Këshillin Prokurorial të Kosovës etj.

Sipas asaj që ka publikuar Kërçeli i Vetëvendosjes, që nga 23 marsi 2021 e deri më sot, në Kuvend janë proceduar 159 Projektligje, prej tyre nga Qeveria 147, 11 projektligje janë propozuar nga Kuvendi (4 nga GP i LVV, 3 GP PDK, 1 GP Multietnik, 1 nga Komisioni për siguri, 1 GP LDK, 1 GP AAK). Një (1) projektligj është propozuar nga 10 mijë qytetar.

Ligje të miratuara, thotë se janë 123, prej tyre 32 marrëveshje ndërkombëtare.

Projektligjet miratohen prej Kuvendit dhe votave të deputetëve, në dy lexime. Kujtojmë që paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit. Përveç kësaj, të 120 deputetët kanë edhe të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit brenda dhe jashtë vendit me detyra zyrtare.

Tash për tash, ka mbaruar sesioni pranveror dhe deputetët së bashku me pjesën tjetër të stafit të Kuvendit kanë dalë në pushime, për të pritur rifillimin e sesionit vjeshtor të punës./PERISKOPI/

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: