Putin nënshkruan marrëveshje për transferimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi

Putin nënshkruan marrëveshje për transferimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass, dhjetë avionë të aftë për të mbajtur armatimin thuhet se tashmë janë zhvendosur atje, shkruan Skynews.

Supozohet se deri më 1 korrik do të ndërtohet një objekt magazinimi për armët.

“Ne ramë dakord me [presidentin e Bjellorusisë Aleksandër] Lukashenko që do të vendosim armë bërthamore taktike në Bjellorusi pa shkelur regjimin e mospërhapjes”, tha Putin.

Putin pretendoi se nuk do të shkelte marrëveshjet e mospërhapjes bërthamore, pasi SHBA-ja tashmë ka armë të tilla të stacionuara në Evropë, raporton Tass.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 100 koka bërthamore në bazat ajrore në kontinent, duke përfshirë Gjermaninë, Holandën dhe Turqinë, sipas Qendrës për Kontrollin e Armëve dhe Mospërhapjen.

Çfarë është mospërhapja?

Regjimi i mospërhapjes së përmendur nga Putini është një traktat ndërkombëtar që synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore – duke i mbajtur ato larg nga duart e vendeve që nuk i kanë ato tashmë.

Ai u nënshkrua në vitin 1968 nga dhjetëra vende, duke përfshirë Bashkimin Sovjetik, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Putin tha se armët që do të vendosen në Bjellorusi do të jenë ende nën kontrollin rus.

Shpërndaje në: