Putin urdhëron mobilizim të pjesshëm ushtarak dhe kërcënon Perëndimin

Putin urdhëron mobilizim të pjesshëm ushtarak dhe kërcënon Perëndimin

Presidenti rus, Vladimir Putin, bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi.

Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë.

Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë.

Analistët thonë se përpjekjet e tilla, të mbështetura nga Kremlini, krijojnë terren që Moska të përshkallëzojë luftën, pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës.

Referendumet, të cilat pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë më 23 shtator në rajonet Luhansk e Herson, si dhe në Zaporizhja e Donjeck. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.

Gjatë fjalimit të tij, Putin tha se mobilizimi i pjesshëm do të fillojë sot.

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, pra vetëm qytetarët që janë aktualisht në rezervë, do t’i nënshtrohen rekrutimit, si dhe ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë përvojën përkatëse”, tha Putin.

Putin tha se qëllimi i tij është “çlirimi” i rajonit Donbas në Ukrainën lindore.

Ai, po ashtu, akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe pretendoi – pa ofruar asnjë provë – se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s” kanë bërë deklarata për “mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.

“Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t’ua kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi”, tha Putin.

“Kur integriteti territorial i vendit tonë të kërcënohet… për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri që do t’i përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”.

“Ky nuk është një mashtrim”, tha Putin.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha në një intervistë televizive se do të mobilizohen vetëm ata rusë që kanë përvojë përkatëse luftarake dhe shërbimi, e jo rekrutët dhe studentët.

Shpërndaje në: